Autoritetet venezueliane janë në gatishmëri për pasojat e mundshme të një cikloni tropikal që lëviz përgjatë bregut të Venezuelës dhe mund të mbërrijë në vend në orët e para të ditës së sotme.

“Ne kemi udhëzuar të gjitha autoritetet e sigurisë së qytetit, zjarrfikësit dhe mbrojtjen civile në nivel kombëtar që të marrin masa parandaluese përballë ardhjes së ciklonit të mundshëm tropikal në brigjet tona”, tha ministri i Brendshëm Remigio Ceballos në Twitter.

Instituti Kombëtar Meteorologjik Inameh paralajmëroi se “cikloni i mundshëm tropikal DOS ndodhet 730 km lindje-juglindje të shtetit të Sucre, me erëra maksimale të qëndrueshme prej 65 km/h”. “Sistemi përfaqëson një rrezik hidro-meteorologjik për vendin tonë”, shtoi ai në Twitter, duke shpërndarë një sërë rekomandimesh për popullatën për t’u përballur me pasojat e mundshme të kalimit të ciklonit.

Presidenti Nicolás Maduro njoftoi dje se këto fenomene do të ndodhin nga sot dhe për pesë ditë, duke theksuar se ky ciklon tropikal do të gjenerojë shi dhe erëra të furishme. “Në vijim të valës tropikale numër 11 dhe proceseve të ngrohjes globale, nga e mërkura dhe për pesë ditë, në territorin kombëtar do të ndodhin fenomene atmosferike që do të gjenerojnë shi dhe erëra të forta”, tha presidenti venezuelian.

(Ansa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb