Veprimi ç’njerëzor i ushtarëve izraelitë ndaj trupit të pajetë të palestinezit që e martirizuan në kufirin e Rripit të Gazës nën bllokadë ka shkaktuar reagime.

Në pamjet në median sociale janë reflektuar momentet kur një grup palestinezësh përpiqeshin të merrnin trupin e një personi ende të paidentifikuar të cilin ushtarët izrelitë e kishin martirizuar këtë mëngjes në kufirin e Gazës.

Një buldozer i ushtrisë izraelite që ka mbërritur në rajon u përpoq të pengonte palestinezët që të merrnin trupin e dëshmorit.

Pavarësisht kësaj, derisa palestinezët morën trupin dhe përpiqeshin të largoheshin dëgjohen të shtëna të armëve, ndërkohë që rrëzohet në tokë një palestinez i cili u qëllua në këmbë nga ushtarët izraelitë që hapën zjarr ndaj atyre që po përpiqeshin të merrnin trupin e pajetë.

Pas hapjes së zjarrit palestinezët ishin të detyruar të linin trupin e martirit.

Ndërkohë shfaqen pamje të tmerrshme teksa buldozeri izraelit që ndjek grupin përpiqet të marrë trupin e dëshmorit.

Drejtuesi i buldozerit, fillimisht u përpoq të marrë trupin e dëshmorit palestinez me kovën e buldozerit por gjatë kësaj trupi copëtohet, dhe më pas largohet nga zona duke e marë zvarrë trupin e copëtuar.

Ushtarët izraelitë mëngjesin e sotëm hapën zjarr ndaj dy palestinezëve që ndodheshin në afërsi të telave kufitarë në lindje të rajonit Abasan. Si pasojë njëri nga palestinezët u martirizua dhe tjetri u plagos.

Më pas ushtarët izraelitë hapën zjarr edhe ndaj të rinjve palestinezë që tentuan të merrnin trupin e personit të martirizuar dhe personit të plagosur. Në ngjarje u plagosën edhe dy palestinezë të tjerë pasi u qëlluan në këmbë.

Ushtria izraelite pas ngjarjes njoftoi se kishte hapur zjarr ndaj 2 personave për të cilët pretendon se i ishin afruar kufirit “për të vendosur lëndë shpërthyese”.//AA

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb