Erjon Kanxheri, avokat i shoqërisë Erioni shpk i ftuar në studion e emisionit ‘Open’ në News24 ka folur në lidhje me shkatërrimin e paligjshëm me rreth 70 kilogramë eksploziv të “Prestige Resort” nga forcat e IKMT-së.

Ai ka thënë se IKMT në seancën gjyqësore pas prishjes së Prestige Resort ka paraqitur vetëm një procesverbal të mbajtur në zyrat e tyre në nëntor, ndërsa shtoi se IKMT ka pretenduar se ka tentuar t’i japë një njoftim për shembjen një punëtori i cili nuk e ka marrë, pretendime të cilat avokati i ka hedhur poshtë pasi posedojnë pamjet filmike të ardhjes së tyre në resort, ndërsa e ka cilësuar këtë veprim si tërësisht absurd.

Kanxheri shtoi më tej se momentalisht po llogaritet dëmi financiar nga aksioni i paprecedentë i IKMT-së dhe se ky dëm do të kërkohet ligjërisht ndaj qeverisë së vendit pasi sipas tij veprimet e tyre janë nul.

“Ligji për gjykatat administrative synon procesin për të qenë efikas dhe i shpejtë. Në këtë rast gjykata i dha kohë IKMT-së që të bënte prishjen. IKMT-ja vetë që ka pohuar se kompleksi ka leje ndërtimi, nuk e ka quajtur leje zhvillimore apo diçka tjetër. Leja që mund t’i japë janë e ndërtimit dhe e zhvillimit, është e qartë ne letër.

Do godasim veprimet e IKMT-së që për çudi në seancën gjyqësore, solli një procesverbal që nuk kishim dijeni, çdo gjë ka qenë në vlerësimin tonë jo korrekte. Pasi kanë bërë një procesverbal të nëntorit kanë marrë një vendim për prishjen dhe e ekzekutuan. U pretendua që ky vendim është tentuar t’i jepet një punonjësi që nuk e ka pranuar sipas tyre. Ne kemi kamerat kur ata kanë hyrë dhe u kemi kërkuar një leje të cilën nuk e kanë dhënë. Kjo është tërësisht absurde. Ne kemi depozituar një kërkesë dhe kishim çuar disa shkresa te IKMT për informacion, nuk mundet të sillen në këtë mënyrë kur subjekti ka përfaqësues.

IKMT ka paraqitur vetëm një procesverbal që është mbajtur në zyrat e IKMT-së dhe vendimin e prishjes të cilin nuk e kemi marrë deri në momentin e seancës gjyqësore, nuk ka asnjë arsyetim, vetëm thotë që është konstatuar një ndërtim pa leje. Në procesin gjyqësor kemi kontestuar procesin e prishjes. Është thelbësore që në këtë moment të kemi parasysh dy gjëra, ka ardhur një dëm që po llogaritet. Veprimet e tyre janë nul, dëmi do kërkohet ligjërisht, lidhur me mënyrat nuk japim detaje por di të them që ka një veprim të paligjshëm dhe me pasojë të madhe monetare që do të kërkohet”, tha Kanxheri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb