Memorie.al publikon raportin sekret te zëvendës ministrit të Punëve të Jashtme, Mihal Prifti, dërguar Enver Hoxhës më 1952: Agjentët shqiptarë në Jugosllavi dhe bazat ku stërviten ata. Ne muajin tetor 1949 nje grup diversantesh te armatosur dhe te porositur nga kapiteni UDB-se Vllado Popovic u futen fshehurazi ne token shqiptare dhe vrane kryetarin e lokalitetit te Kalase se Dodes, shokun Sabri Poda
Menjëherë mbas mbledhjes së Triestes, Qeveria fashiste e Beogradit filloi t‘a shtoj dhe t‘a intesifikojë sa më shumë aktivitetin armiqësor kundër popullit Shqiptar dhe Republikës Popullore të Shqipërisë. Ajo në bashkëpunim të ngushtë me agjentët imperialistë në Jugosllavi, krijoi qëndra të posaçme spiunazhi n‘afërsi të kufirit Shqiptaro-Jugosllav, të cilat merren kryekëput me organizimin e kriminelave të luftës shqiptarë, të spiunëve të çfarëdo marke, e me rekrutimin e mercenarëve naivë, nga Kosova e Metohija, të cilët i stërvitën kurse e shkolla të veçanta me anë të oficerëve të sprovuar të spiunazhit Jugosllav. Mandej, mbasi mbarojnë këto kurse speciale, oficerët e UDB-së, i armatosin me armë të çdo llojshme, u mbushin xhepat me të holla dhe të udhëhequr prej tyre, në grupe të ndryshme i dërgojnë në tokën shqiptare për të kryer akte spiunazhi, sabotazhi, terorizmi e brigandizmi, për të ngjallur konfuzion në popull, për të inkurajuar elementë reaksionarë në Shqipëri dhe për të organizuar arratisje nga Shqipëria në Jugosllavi dhe në mënyrën më të poshtër të kryejnë një sërë aktesh të tilla si…” Kështu thuhet, në mes të tjerash, në një relacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, që mban datën 16 nëntor 1951, të firmosur prej zëvendës ministrit Mihal Prifti, i cili titullohet: “Organizmi dhe aktiviteti i kriminelëve të luftës shqiptarë në Jugosllavi”. Ky relacion, në të cilin jepen të dhëna të hollësishme mbi aktivitetin e emigracionit politik shqiptar në Jugosllavi, fillimisht i është dërguar për miratim Enver Hoxhës, dhe më pas qeveria shqiptare e ka paraqitur atë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Me anë të këtij raporti të paraqitur në OKB, qeveria komuniste e Enver Hoxhës synonte të bënte presion ndaj vendeve Perëndimore dhe shteteve fqinje, të cilat strehonin, mbanin e stërvisnin grupe shqiptarësh të arratisur politikë, duke i përgatitur ata për të zbarkuar në Shqipëri, në përpjekje për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Por raporti në fjalë është përgatitur kryesisht kundër Jugosllavisë së Titos, e cila, pas letrës së Inform byrosë dhe prishjes me Shqipërinë dhe Bashkimin Sovjetik më 1949, e zbuti politikën e saj ndaj Perëndimit dhe u bë strehë për shumë shqiptarë të arratisur për motive politike. Po çfarë thuhet më tej në atë relacion të Ministrisë së Jashtme, cilët ishin shqiptarët e arratisur në Jugosllavi për motive politike dhe si stërviteshin ata në bazat sekrete të Ulqinit e Shkupit nga oficerët e UDB-së? Për të gjitha këto bëhet fjalë në një sërë dokumentesh arkivore, një pjesë prej të cilave po I botojmë më poshtë në këtë shkrim, që janë nxjerrë nga dosjet e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, pas deklasifikimit që u është bërë atyre kohët e fundit.

Relacioni i MPJ për Enverin
Në fillim të relacionit të Ministrisë së Jashtme në Tiranë dërguar Enver Hoxhës, I cili ti tullohet: “Organizmi dhe aktiviteti I kriminelëve të luftës shqiptarë në Jugosllavi”, pasi bëhen disa akuza të karakterit politik në adresë të qeverisë jugosllave, e cila sipas qeverisë shqiptare ishte bërë një agjenturë në shërbim të anglo-amerikanëve, duke e transformuar Jugosllavinë në qendër intrigash dhe vatër ku përgatiteshin planet agresive kundër Bashkimit Sovjetik dhe demokracive popullore, më tej thuhet: “Jugosllavia është bërë dhe strehimi për kriminelët e luftës, të cilët i organizon dhe u jep çdo përkrahje për të zhvilluar veprimtarinë e tyre të poshtër kriminale kundër Demokracive Popullore dhe Republikës Popullore të Shqipërisë. Mbas daljes së rezolutës së Byrosë Informative, e cila demaskon tradhëtinë e klikës fashiste të Beogradit, një numër I konsiderueshëm kriminelësh lufte shqiptarë, mbasi nuk gjenin vend në tokën shqiptare pse ndiqeshin nga forcat e mbrojtjes së popullit dhe nga vetë populli për të dhënë llogari, përkrimet e shëmtuara që kishin kryer në dëm të tij duke bashkë punuar me okupatorët italiano-gjermanë, kaluan në Jugosllavi, ku jo vetëm që nuk u arrestuan por u pritën përzemërsisht dhe me krahë hapur nga organet kompetente Jugosllave, duke u përdorur nga këta të fundit për qëllimet e tyre të poshtra kriminale agresive kundër popullit shqiptar dhe Republikës Popullore të Shqipërisë. Të tillë kriminelë janë sip.sh. Dan Kaloshi, Cen Elezi, Tahir Hoxha, Nik Sokoli, Mark Tunxi, Ndre Lufi, Gjon Lulosh Deshtanishta, Mehdi Ndreu, Marko Bib Vokri, Zef Gjon Sokoli, Ferdi Sima etj. Të cilët gjatë okupacionit nazi-fashist kanë qenë bashkë punëtorë aktivë të okupatorëve dhe së bashku me ta kanë luftuar kundër luftës nacional-çlirimtare duke udhëhequr e komanduar me qindra mercenarë që kanë pasur me vete. Ata kanë kryer krime të shëmtuara në popullatën civile, kanë vrarë e torturuar njerëz të pafajshëm, kanë djegur e plaçkitur fshatra të tëra etj”.

“Beogradi na premtoi kthimin e kriminelëve”
Në vijim të raportit të Ministrisë së Jashtme, për Enver Hoxhën, jepet ankesa e qeverisë shqiptare ndaj qeverisë së Beogradit, e cila, sipas saj, u kishte premtuar kthimin në Shqipëri të disa prej krerëve kryesorë të emigracionit politik shqiptar, që zhvillonin aktivitetin e tyre në Jugosllavi. Lidhur me këtë, në raportin në fjalë, midis të tjerash thuhet: “Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë duke ditur se një pjesë e mirë e këtyre kriminelëve të luftës shqiptare ndodheshin të lirë në Jugosllavi, kërkoi në shumë raste me anë notash e verbalisht dorëzimin e këtyre kriminelëve me damkë, armiq të betuar të popullit shqiptar, dhe njëkohësisht i kujtoi Qeverisë Jugosllave përgjegjësinë e rëndë që i binte për organizimin e këtyre kriminelëve kundër popullit shqiptar dhe Republikës Popullore të Shqipërisë. Mirëpo Qeveria fashiste Jugosllave me gjithë se në fillim në aparencë u angazhua për dorëzimin e kriminelëve Cen Elezi e Dan Kaloshi etj. me kalimin e kohës me pretekste fallco që i karakterizon Qeveritë e tipit fashist, jo vetëm që nuk i dorëzoi, por për kundrazi grumbulloi e grupoi përrreth tyre kriminelë e të arratisur të tjerë, të cilët nën kujdesin e oficerëve të UDB-së jugosllave organizohen e stërviten në shkolla e kurse të veçanta. Organizimin e këtyre kriminelëve Qeveria Jugosllave e bën me përkrahjen morale e materiale të imperialistëve amerikano-anglezë dhe sipas udhëzimeve dhe direktivavetëtyre e në përputhje të plotë me planet luftë nxitëse të patronëve të saj. Kështu p.sh. kur imperialistët amerikano-anglezë në vitin 1949 krijuan në Paris të ashtu quajturin Komitet “Shqipëria e Lirë” kundër popullit shqiptar e Republikës Popullore të Shqipërisë me llumin e kriminelëve të luftës shqiptare si Hasan Dosti, Abaz Kupi etj. me spiunë të amerikano-anglezëve, të Titos të neofashistëve të Romës, të monarko-fashistëve të Vatikanit, që ndodhen në prehërin e tyre, e qënë bazë të vendimit të Posdamit duhet t‘I dorëzoheshin popullit shqiptar për të dhënë llogari për krimet e shëmtuara që kishin kryer, klika fashiste e Beogradit u shpejtu atë deklaronte se “ajo ishte për independencën e Shqipërisë e të popullit shqiptar” dhe se “s‘ka lidhje me këtë farë komitet etj. Klika fashiste e Beogradit e bëri këtë gjë për të fshehur lidhjet dhe bashkëpunimin e shëndoshë që ka ajo me shërbimet e fshehta të spiunazhit amerikano-anglez dhe për të mundur të gënjejë sadopak, popullin shqiptar dhe shqiptarët e Kosovës”.

“Mbledhja e kriminelëve shqiptarë në Trieste”
Pas akuzave të qeverisë shqiptare ndaj Beogradit, i cili nuk e kishte mbajtur premtimin për të kthyer në Shqipëri disa nga krerët kryesorë të emigracionit antikomunist shqiptar që vepronin në shtetin fqinj, në vijim të raportit të Ministrisë së Jashtme flitet për një mbledhje që ata kanë bërë në Trieste. Lidhur me këtë, midis të tjerash, aty thuhet: “Por deklarata të tilla janë pa vlerë, pse populli Shqiptar është në dijeni të mbledhjes së përbashkët që u bë në Trieste në vitin 1949 me të deleguarit e famëkeqit Komitet “Shqipëria e Lirë” me kryeagjentin e monarko-fashistëve, tradhëtarin e kriminelin e popullit shqiptar Abaz Ermenin, me xhelatin Xhafer Deva me agjentët e Titos në mes të të cilëve dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të okupatorëve gjermanë kriminelin dhe xhelatin e popullit të Kosovës, agjentin e vjetër të krahëve të Serbisë dhe tash agjentin e Itelligjencë-Servisit dhe të Titos Gani bej Kryeziun, vëllain e Seid Kryeziut anëtarit të Komitetit “Shqipëri e Lirë”. Në këtë mbledhje kanë asistuar dhe oficerë të spiunazhit amerikan dhe anglez. Ujdija ka qenë e plotë ndërmjet këtyre banditëve. Roli që i’ u ngarkua atje kriminelit Gani Bej Kryeziut ishte që sipas urdhërave dhe në bashkëpunim të ngushtë me spiunazhin jugosllav, të organizojë kriminelët e luftës që ndodhen në Jugosllavi, të rekrutojë mercenarë nga Kosova dhe Metohija dhe të hidhet në luftë të armatosur kundër popullit shqiptar dhe Republikës Popullore të Shqipërisë. Kështu që fill mbas mbledhjes së Triestes Qeveria franceze e Beogradit, filloi ta shtojë dhe ta intensifikojë sa më shumë aktivitetin armiqësor kundër Popullit Shqiptar dhe Republikës Popullore të Shqipërisë. Ajo në bashkëpunim të ngushtë me agjentët imperialistë në Jugosllavi, krijoi qendra të posaçme spiunazhi në afërsitë e kufirit Shqiptaro-Jugosllav, të cilat merren kryekëput me organizimin e kriminelëve të luftës shqiptare të spiunëve të çfarëdo marke e me rekrutimin e mercenarëve naivë, nga Kosova e Metohija, të cilët i stërvitin në kurse e shkolla të veçanta me anë të oficerëve të sprovuar të spiunazhit Jugosllav, mandej mbasi mbarojnë këto kurse speciale oficerët e UDB-së i armatosin me amrë të çdo llojshme, u mbushin xhepat me të holla dhe të udhëhequr prej tyre në grupe të ndryshme I dërgojnë në tokën Shqiptare për të kryer akte spiunazhi, sabotazhi, terrorizmi e brigandazhi, për të ngjallur konfuzion në popull, për të mos e lënë të qetë në punën e tij paqësore ndërtimtare për të inkurajuar elementët reaksionarë në Shqipëri dhe për të organizuar arratisjen nga Shqipëria në Jugosllavi dhe në mënyrën më të poshtër”.

“Kapiteni i UDB-së nis diversantë”
Në vijim të raportit për veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar në Jugosllavi, jepet një përmbledhje e plotë mbi aktet diversioniste që janë bërë në tokën shqiptare nga diverasantët e stërvitur nga oficerët jugosllavë të UDB-së. Lidhur me këtë, midis të tjerash, aty thuhet: “Në muajin Tetor 1949 një grup diversantësh të armatosur dhe të porositur posaçërisht nga kapiteni i UDB Vllado Popoviç u futën fshehurazi në tokën shqiptare, vranë anëtarin e partisë së Punës, kryetarin e lokalitetit të Kalasë së Dodës (rrethi i Kukësit) shokun Sabri Poda, dhe kur u larguan me zor e frikë si me grabitën familjet e Baftjar Dautit nga katundi Buzëmadh dhe të Zylfi Maliqit nga katundi Ujmisht (rrethi Kukësit). Akte të tilla terroriste grupet e diversantëve të udhëzuar nga oficerët e UDB-së Jugosllave kanë kryer edhe më vonë. Ata kanë vrarë Sekretarin e Këshillit të katundit Vukël, Ded Markun, nëntogerin e Ushtrisë Popullore, Melo Babaj, policin Mane Kazanin, reshter Ndue Markun, fshatarët Nikoll Prendin e Kasem Imerin etj. Gjithashtu për të krijuar panik në popull dhe për të sabotuar votimet e 28 majit 1950 që bëheshin për zgjedhjet e përfaqësuesve të popullit për në Kuvendin Popullor, grupet e ndryshme të diversantëve të ardhur nga Jugosllavia të udhëzuar nga oficerët e UDB kanë djegur më 27 maj shkollën e katundit Morinë (Kukës) dhe shkollën e katundit Myzejntë Tropojës, mbasi këto dy shkolla ishin caktuar për qendra votimi. Por në këtë mënyrë grupe të ndryshme të armatosura diversantësh ardhur nga Jugosllavia kanë prerë linjën telefonike Shistavec-Bicaj kanë therur e grabitur bagëti të fshatarëve me qëllim dëmtimi siç kanë therur p.sh. 17 krerë dhentë fshatarëve Xhemal Cani e Osman Shabani. Shpesh herë kanë shpërndarë material propogandistik me përmbajtje fashiste me anë të të cilit nxisin popullin për kryengritje të armatosur kundër qeverisë legale të popullit shqiptar, kanë hedhur bomba djegse nështëpitë e fshatarëve, kanë sulmuar zyrat e lokalitetit të Pacit në Tropojë etj”.

Raporti i qeverisë shqiptare për kampet e shqiptarëve në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni

“Bazat e fshehta ku UDB-ja stërvit shqiptarët në Jugosllavi”
Në raportin e Ministrisë së Jashtme, të titulluar: “Organizmi dhe aktiviteti i kriminelëve të luftës shqiptarë në Jugosllavi”, i cili i drejtohej personalisht Enver Hoxhës, midis të tjera shbëhet dhe një përmbledhje e hollësishme mbi bazat e fshehta në Mal tëZi, Kosovë dhe Maqedoni, ku UDB-ja jugosllave stërviste shqiptarët e arratisur për motive politike. Lidhur me këtë gjë, për të cilën Tirana zyrtare i referohet disa prej dëshmive të dhëna ngadiversantët e kapur, në gjyqet e zhvilluara nëvitet 1950-‘51, midis të tjerash në raportin në fjalë shkruhet: “Gjithë kjo veprimtari armiqësore e kryer nga qeveria fashiste e Beogradit me anë të organizatave të saj të spiunazhit kundër popullit shqiptar dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, është e vërtetuar dhe e dokumentuar me shumë nga gjyqet që janë zhvilluar në Tiranë në maj 1950, me atë që është zhvilluar në Kukës në shtator 1950, si dhe me gjyqin që është zhvilluar në Peshkopi janar 1951, kundër agjentëve dhe diversantave në shërbim të UDB-së. Qëndra kryesore të spiunazhit jugosllav që drejton veprimtarinë e tyre të poshtër kundër popullit shqiptar, dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, ndodhen në Prishtinë dhe Ohër, të cilat kanë degë të tyre vartëse që janë:

a) Në Mal të Zi, me qëndër pune në Tivar, Podgoricë dhe Adreivice. Në këto qëndra ata kanë grumbulluar dhjetra kriminelë lufte dhe të arratisur shqiptarë të cilët kanë formuar grupe të ndryshme të armatosura diversantësh që kryesohen prej Nikoll Gjeto Tonaj, Vat Mali, Mark Pashku, Kol Gjergji, Gjon Kiri, Palok Luca, Preng Ndue Dusha, Cen Tahiri, Kol Pali, të cilët drejtohen e stërviten nga oficerë të zotë të UDB-së jugosllave, si kapitenët Pero Buzhanoviç, kapiten Stanko Gjokiq, n/toger Vido Ivmov etj.

b) Në Kosovë, me qëndër në Prizren e Gjakovë, gjithashtu dhe në këto dy qëndra janë grumbulluar me dhjetra kriminelë lufte dhe t‘arratisur shqiptarë e mercenarë kosovarë që kryesohen prej Lutfi Spahisë, Dalip Nuhija, Rexhep Beca, Destan Parllaku, Marka Deda, Ber Abdullahi, Nik Sokoli, Cen Mala, Hasan Isufi, Ram Tahiri, Mark Tunxhi, Tahir Hoxha etj, që drejtohen, udhëzohen e armatosen nga oficerat e UDB-së, si p.sh. kapiten Vllado Popoviç, kapiten Mazllum Nimani etj.

c) Në Maqedoni, me qëndër pune në Ohër, Dibër, Strugë dhe Res. Edhe në këto qëndra kanë qgrumbulluar grupe spiunazhi të armatosur nga të cilët një pjesë janë kriminelë lufte shqiptarë dhe një pjesë të gabuar e të gënjyer prej tyre që kryesohen nga Qazim Lusha, Ferik Maliqi, Shaban Tormazi, Qemal Zagorçani, Abaz Tormazi, që drejtohen nga majori i UDB-së, Koço Bituxi, kapiten Jaçe Popodanov, kapiten Mile Gortiq, toger Svetko Jovanofski etj. Elementët që janë grupuar në këto qëndra janë rekrutuar me metoda të ndryshme, sip.sh. me anë korupsioni, presioni etj. Masandej pasi në shkruajnë deklarata të ndryshme se do të shërbejnë besnikërisht klikës fashiste të Beogradit, bëhen antarë dhe bashkëpunëtorë të shërbimit informative jugosllav”./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb