FRANCË

Vala rekorde e të nxehtit në Francë, e regjistruar në muajt qershor dhe korrik, la 1,435 njerëz të vdekur, tha ministrja e Shëndetësisë e këtij vendi, Agnes Buzyn. Duke folur për Radio Francën, Buzyn tha se gjysma e viktimave kanë qenë mbi 75 vjeç.

Ajo shtoi se, falë masave parandaluese, norma ka qenë dhjetë herë më e ulët se në periudhën e njëjtë në vitin 2003, kur Evropa është përfshirë nga një tjetër valë vdekjeprurëse e të nxehtit. Franca shënoi temperaturën prej 46 gradësh Celsius në qershor, që është më e larta në historinë e saj.

Në kryeqytetin Paris po ashtu u shënua temperaturë rekorde prej 42.6 gradësh Celsius në korrik. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 567 persona vdiqën në periudhën 24 qershor – 7 korrik, ndërsa 868 të tjerë vdiqën nga 21 deri më 27 korrik.

Gjatë periudhave të nxehta, shumë shkolla u mbyllën dhe disa ngjarje publike u anuluan, për të minimizuar ekspozimin e publikut. Temperaturat e larta thyen rekorde sivjet edhe në vende të tjera të Evropës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikën, Gjermaninë, Luksemburgun dhe Holandën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: