NGA BRIKENA METAJ*

GJIROKASTËR- Në 5-vjetorin e ngjarjes së 21 janarit, familjarët e Ziver Veizit vazhdojnë të apelojnë për drejtësi. Kunata e Ziverit, Vera Veizi thotë se edhe sot, 5 vite më pas drejtësia nuk është vënë në vend, qeveritë si ajo e kaluara edhe kjo e sotmja ende nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e ngjarjes. Sipas saj reforma në drejtësi nuk do të mund të quhet e tillë nëse nuk zbardh ngjarjen e 21 janarit dhe vënien para drejtësisë të vrasësve të 4 personave, shton ajo.

“5 vite që Ziveri u vra në mes të kamerave. E pa gjithë bota, u trondit gjithë bota, drejtësia hesht, nuk flet. Këtë duam, ku ta gjejmë?! Vajtën 5 vite dhe nuk flet. Kjo do jetë reformë po zgjidhi këtë çështje, po nuk zgjidhi këtë që është hapur në mes të sheshit, në mes të bulevardit, në mes të botës, nuk do jetë. Po kush na pyet ne?”, deklaron Vera Veizi.

Të njëjtin apel për drejtësi kanë dhënë edhe përfaqësues të pushtetit vendor në Gjirokastër dhe një prej ish-të plagosurve në demonstratën e 21 janarit 2011, Shkëlqim Guçe.

“Sot është një ditë e shënuar për ne protestuesit e 21 janarit. Unë si dëshmi e gjallë, i plagosur, mund t’ju them se protestuam në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të gjitha problemet që kishin shqiptarët në shpirt në zemër. Por gjithsesi padrejtësia që vazhdoi dhe vazhdon ende për 25 vite. Sot është ditë e shënuar për të thënë që vërtetë Ziver Veizi u vra nga plumbat, por i pafajshëm, me duar në xhepa dhe ne shokët e tij do vazhdojmë të luftojmë pikërisht për drejtësi. Ekonomia, politika kanë bërë atë që ende sot ata që janë varrosur të mos kenë freskinë e drejtësisë”, thotë Guçe.

Ndërkohë edhe familjarët e Faik Myrtaj kanë kërkuar drejtësi. Ata kanë shprehur besimin se kjo drejtësi do të vijë me reformën. “Shpresoni se do bëhet drejtësia. Do bëhet me reformën në drejtësi. Jemi të shqetësuara sa më s’ka. Jam operuar me sëmundje të keqe nga këto halle e shqetësime”, tha motra e Faik Myrtaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: