Kukësi është në rënie të lirë, duke mos dalë dot nga kriza e rezultateve. Humbja e fundit në shtëpi ndaj Burrelit ishte një goditje jo e vogël për blutë, teksa pas dy fazave të para e shohin veten në vendin e tretë nga fundi, e cila përkthehet ndryshe në zonën e “play-out”.
Tani verilindorët kanë një detyrë të vështirë përpara, ku i duhet të rikuperojnë shumë pikë rrugës për t’u larguar nga ky pozicion. Për fat të keq, në ndeshjet e para nuk ka aspak në favor kalendarin, ku do i duhet të përballet me tre kryesuesit e kësaj kategorie, duke e bërë akoma edhe më të vështirë marrjen e rezultateve pozitive. Blutë aktualisht vijnë pas pesë humbjeve radhazi, katër prej të cilave në kampionat dhe nga 12-të pikë të mundshme nuk kanë marrë asnjë. Këtë vit, verilindorët kanë fituar vetëm në ndeshjen e parë, atë ndaj Pogradecit në shtëpi dhe u duk se ishte një ogur i mirë për vazhdimësinë.
Gjithsesi, nuk duhet harruar se Kukësi u dobësua ndjeshëm në merkaton e janarit, ku u larguan tri shtyllat e skuadrës. Kapiteni Mario Beshiraj te Teuta, mesfushori Françesko Hasaj te Vora dhe mbrojtësi Franci Lala për te radhët e Vëllaznimit në Kosovë. Afrimet e bëra kanë qenë kryesisht djem të rinj dhe që nuk janë integruar ende me ekipin ashtu si duhet. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse blutë do të dalin dot nga kriza apo do vijojnë me rezultatet negative.