Policia e Kosovës përsëriti sot se ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, për të ofruar siguri dhe mbarëvajtje të procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës. Në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç – që të gjitha komuna të banuara me shumicë serbe – po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi, nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që ta bojkotojnë procesin.

“Serbët duhet t’i shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm zgjedhor, që është kundër interesave të popullit serb”, tha Lista Serbe. Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Beogradi është ai që po i frikëson serbët nga veriu që të mos marrin pjesë në zgjedhje.

Policia e Kosovës i inkurajoi qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor e të tjera. Vetëm një nga dhjetë kandidatët në garë zgjedhore është serbe, pasi një serb tjetër është tërhequr. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur disa kontejnerë për mbledhjen e votave, përgjatë rrugëve kryesore në veri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: