KOSOVË- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se ai është i gatshëm që sot të japë dorëheqje, nëse do të zgjidhej e gjithë situata e krijuar.

Në një emisionin në KTV-së, ai ka thënë se askush nuk ka luftuar për karrige dhe se “nuk është i kapur në karrige”.

“Nëse e zgjidh Asociacionin dhe Demarkacionin, sot jap dorëheqje. Sot, vetëm le të qetësohen. Pse a jemi kapur për karrige a? Pse për këtë kemi luftuar?”, tha Veseli.

Më tej Kryetari i Kuvendit, u shpreh se po të ishte diçka e dëmshme marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, atë nuk do ta pranonte zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, Hashim Thaçi.

“Nënshkrues i marrëveshjes për demarkacionin është zv.kryeministri, përkatësisht ministri i jashtëm, i cili deri tani, në asnjë moment nuk ka shprehur asnjë mëdyshje në raport me mbrojtjen e këtij shteti. Njëkohësisht është një nga diplomatët dhe politikanët më të shquar të këtij vendi, deshën disa apo nuk deshën”, ka thënë Veseli.

Veseli, ka deklaruar gjithashtu se Policinë në Kuvend e futi opozita me sjelljen e saj. Ai thotë se është përpjekur gjatë gjithë kohës të jetë racional dhe të bëjë thirrje për dialog.

“Unë besoj se si kryetar i Kuvendit jam përpjekur gjatë tërë kësaj kohe të jem racional dhe komunikues. Policinë nuk e kam dërguar unë në sallën e Kuvendit. E kanë dërguar ata të cilët kanë rrezikuar deputetët me sjelljet e tyre”, tha ai.

Veseli thotë se duhet të kemi përgjegjësi për shtetin dhe të mendojmë për të para se të mendojmë për veten tonë. “Ne duhet të kemi përgjegjësi më shumë se sa për veten tonë. Kemi përgjegjësi për këtë vend. E them me përgjegjësi, por pa dëshirën time, policinë në Kuvend e ka futur opozita me sjelljen e tyre”, u shpreh ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, për seancën e fundit të bllokuar nga opozita, thotë se  ishte një pamje që nuk u duhej qytetarëve të Kosovës dhe as Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se ka një vendosshmëri që puna e Kuvendit të vazhdojë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: