Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u bëri thirrje deputetëve të opozitës që t’i lënë anash inatet politike dhe ta mbështesin iniciativën për formimin e, siç tha, tribunalit për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë.

Në përfundim të debatit në Kuvend, Veseli tha se tribunali do të formohet. “Unë e kam këtë thirrje për vëllezërit tanë të opozitës nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Është mirë të jenë në sallë kur të votohet. Kjo do të votohet. Por, është mirë që edhe ata të jenë në sallë dhe ta votojmë bashkërisht”, tha Veseli.

Më herët, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje e lëshuan sallën e Kuvendit ku po diskutohej për krijimin e një komisioni për themelimin e tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer gjatë luftës në Kosovë. Deputetët e dy partive politike opozitare thanë se kjo është “një tallje me qytetarët, pasi që një tribunal i tillë mund të krijohet vetëm nga Kombet e Bashkuara”.

Por, kryeparlamentari Veseli i siguroi edhe familjarët e të pagjeturve dhe të viktimave të krimeve serbe në Kosovë se iniciativa për tribunalin do të shkojë deri në fund dhe se kriminelët serbë do të dalin para drejtësisë. “Sot në Kuvend nuk është dashur të ketë parti politike, sepse kur janë vrarë qytetarët tanë, Serbia nuk i ka ndarë njerëzit tanë në parti. Sot, pavarësisht çdo interesi apo inati, është dashur të ketë vendim të mençur, të matur, me qëllim vetëm të ardhmen. Kjo iniciativë nuk do të ndalet. As që mund ta ndalë dikush”, tha Veseli.

Kuvendi i Kosovës, në mesin e muajit prill, ka formuar një komision të veçantë ‘ad hoc’ për dënimin e, siç është thënë, krimeve të luftës, gjenocidit dhe agresionit të regjimit të Serbisë, i cili ka punuar për hartimin e rezolutës në lidhje me këtë çështje. Qëllimi përfundimtar, siç kanë thënë më parë zyrtarët e Kuvendit të Kosovës, është hapja e tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13 500 persona. Të pagjetur ende konsiderohen më shumë se 1 600 persona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: