Roma po përgatitet për t’u mbrojtur nga varianti Omikron i koronavirusit. Duke nisur nga dita e enjte (16.12) kanë hyrë në fuqi rregulla më të ashpra për udhëtarët nga vendet e BE-së.

Udhëtarët nga vendet e BE-së për të hyrë në Itali duke nisur nga dita e enjte (16.12) do të duhet që t’u nënshtrohen rregullave më të forta anti-COVID. Të gjithë udhëtarët – edhe ata të vaksinuar – për të hyrë në Itali duhet të paraqesin një test negativ ndaj koronavirusit, komunikoi ministri italian i Shëndetësisë Roberto Speranza, i cili nënshkroi dekretin përkatës. Të pavaksinuarit pavarësisht testit do të duhet të kalojnë edhe një karantinim pesë ditor.

Deri tani për shtetasit e BE për hyrjen e në Itali mjaftonte vetëm dëshmia e vaksinimit, shërbimit ose testi negativ. Rregullat e reja do të jenë në fuqi deri më 31 janar.

Në sfondin e përhapjes së variantit Omikron të koronavirusit edhe në Itali po shtohet frika nga rritja e numrit të infeksioneve. Gjatë muajve të fundit Italia përmes aplikimit të pasaportës së gjelbër të shëndetit e ka pasur mirë nën kontroll situatën pandemike, pothuajse kudo aksesi lejohet vetëm duke paraqitur kartën e gjelbër. Të martën (14.12) në Itali u regjistruan mbi 20.000 infeksine të reja dhe 120 të vdekur me virusin.

Certifikatat vlejnë vetëm për nëntë muaj

Ndaj aktualisht në mbarë Italinë ka hyrë në fuqi shtrirja e detyrimit për vaksinim. Personeli i shkollave, në administratë dhe në sektorin e shëndetësisë, si dhe në polici, ushtri e tek ekipet e shpëtimit duhet të imunizohet ndaj COVID-19, në mënyrë që të lejohet të vazhdojë punën. Qeveria e kryeministrit Mario Draghi në fund të nëntorit ra dakord për zgjerimin e grupeve që duhet t’i nënshtrohen vaksinimit. Deri tani detyrimi për vaksinim në Itali vlente vetëm për personelin e shërbimit shëndetësor.

Personeli i spitaleve tani duhet të marrë dozën e tretë të vaksinës. Me skadimin e certifikatës së vaksinimit pas nëntë muajsh bëhet i nevojshëm edhe rifreskimi i vaksinës për ata që e kanë të detyrueshem vaksinimin. Përjashtim bëhet vetëm për njerëzit, gjendja shëndetësore e të cilëve mund të rrezikohej prej vaksinës.

Gjoba deri në 1500 euro

Kush nuk i përmbahet detyrimit për vaksinim, duhet të llogarisë me pushim nga puna ose heqjen e pagës. Kush do të punojë si i pavaksinuar, kërcënohet nga gjoba me 600 deri në 1500 euro. Për kontrollet për ruajtjen e rregullave të reja janë përgjegjës drejtuesit e institucionit përkatës. Nëse kjo nuk bëhet, edhe drejtuesit kërcënohen me gjobitje nga 400 deri në 1000 euro./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb