TIRANE – Në përmbyllje të procesit të vetëdeklarimit të ndërtimeve pa leje, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame bëri të ditur se në total janë 427 mijë ndërtime pa leje, të ndërtuara nga viti ’92-’93 e deri më sot. Në një konferencë për mediat, Lame theksoi se tashmë nuk do të ketë më asnjë lëshim për deklarimin e ndërtimeve pa leje, ndërsa qytetarët duhet të plotësojnë dokumentacionin e kërkuar dhe të presin grupet e ALUIZNI-t për të kryer matjet.
“Shqiptarët e morën seriozisht shtetin e tyre që pas këtij regjistrimi nuk do të ketë më lëshime të tjera. U bëj thirrje qytetarëve që tashmë me qetësi të plotësojnë dokumentacionin, të presin grupet e ALUIZNI-t që u trokasin në shtëpi për të bërë matjet. Asnjë shqiptar nuk ka më kurajën të dalë dhe të thotë më ka shteti borxh se nuk arrita të bëj dot vetëdeklarimin, u lanë 6 muaj, u shty dhe një muaj, u njoftua”- deklaroi Lame.
Faza e re e vetëdeklarimeve u çel në shtatorin e vitit të kaluar dhe planifikonte të mbyllej në muajin dhjetor. Por, fluksi i madh i qytetarëve në sportelet e ALUIZNI-t, si dhe nevoja për tu dhënë një mundësi emigrantëve që u kthyen për festat e fundvitit në vend, bëri që ALUIZNI të shtynte afatin deri më 31 janar.

Nga data 1 shkurt 2015 hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, ku për ndërtimet pa leje është hequr koncepti i dënimit me gjobë, duke u zëvendësuar me dënimin me burg. Është shtuar koncepti i pasojave të rënda qoftë në tokë private, ashtu dhe në atë shtetërore, duke vendosur një dënim maksimal deri në 5 vjet. Është shtuar dënimi për personat që japin ndihmë për ndërtimet e paligjshme, duke vendosur si masë dënimi burgim deri në 3 vjet, ku përfshihen edhe sipërmarrësit, ndërtuesit apo zbatuesit e punimeve. Procesi i vetëdeklarimeve është hapi i parë në procesin e legalizimit të banesave. Më pas strukturat e ALUIZNI-t marrin përsipër kryerjen e të gjitha procedurave në terren.
DEKLARATA E PLOTE E LAMES
Siç jeni në dijeni më 31 janar u mbyll afati i vetëdeklarimeve të ndërtimeve pa leje. Kujtoj këtu që ky afat u shty me një muaj, për t’ju dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve të përfshihen në procesin e legalizimeve.  Këto ditë të fundit, i përdorëm për të mbledhur dhe përpunuar të dhënat nga të gjitha Drejtoritë Rajonale. Sot po dal para qytetarëve për të deklaruar dhe qenë transparent me gjithë informacionin e mbledhur. Në periudhën Shtator 2014 – 31 janar 2015 nga qytetarët u deklaruan 155.025 ndërtime pa leje, të ndërtuara që prej vitit 1993 e deri në 2014. Rekordin e mban Qarku Tiranë, me 35.680 ndërtime të reja pa leje, nga të cilat 10.680 vetëm në Bashkinë Tiranë.  I fundit, Qarku Kukës, me vetëm 1441 ndërtime të reja pa leje. Nëse kësaj shifre prej 155.000, i shtojmë atë të 272.000 ndërtimesh pa leje të deklaruara deri më sot, gjendemi përpara shifrës prej 427.000 ndërtime pa leje, të ndërtuara në Shqipëri në këta 22 vjetët e fundit. Kjo shifër mund të konsiderohet si më e sakta dhe afër realitetit edhe për këto arsye:

– Në shifrën e mësipërme nuk përfshihen vetëm ndërtime pa leje të shtuara në vitet 2013-2014, por edhe një masë e madhe ndërtimesh të shtrira goxha në kohë, por të cilat nuk ishin deklaruar asnjëherë, që prej viteve 2000 e këtej.

– Kësaj radhe qytetarët u mobilizuar seriozisht për të bërë deklarimin e ndërtimeve të tyre, pasi jo vetëm besuan tek shteti dhe tek vullneti jonë për ta zgjidhur problemin, por shqiptarët ndoshta për herë të parë e morën seriozisht shtetin e tyre që, pas këtij regjistrimi nuk do të ketë më lëshime të tjera.

Shifra prej 427.000 objekte informale, është një shifër impresionante, që duhet të na bëjë të mendohemi mire të gjithëve për peshën kolosale të këtij fenomeni paligjshmërie. Për dëmin e pafund që i kemi sjellë territorit. Për pafuqinë e gjithë strukturave shtetërore në këto dy dekada për të frenuar fenomenin. Për përdorimin politik që i është bërë këtij halli njerëzor.
Nëse nga shifra prej 427.000 ndërtime informale, zbresim lejet e dhëna prej administrates paraardhëse, lejet e dhëna në këtë vit të fundit prej nesh, si edhe objektet që mund të jenë deklaruar dy ose tre here gabimisht, mbetet sërisht një shifër kolosale prej rreth 350.000 ndërtimesh informale që janë në proces legalizimi.  Kjo gjë e bën të domosdoshme rishikimin e të gjithë strategjisë sonë në përballimin e problemit, duke rishikuar strukturat në terren, mënyrën e operimit, afatet e zgjatjes së procesit, nevojat e sistemit për ta bërë sa më eficent dhe sa më operativ në lidhje me qytetarët. Përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje qytetarëve që tashmë me qetësi të vazhdojnë të plotësojnë dokumentet e kërkuara, të presin grupet e matjeve nëpër shtëpitë e tyre, të denoncojnë çdo ndodhi të pakëndshme. Bashkërisht e kemi nisur këtë reformë dhe bashkërisht do ta përfundojmë me sukses.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb