Ambasadori i Ukrainës në vendin tonë, Volodymyr Shkurov, në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ka folur në lidhje me krimet që Moska ka kryer në konfliktin e armatosur në Ukrainën ndërsa ka zbuluar se vetëm së fundmi janë zbuluar 20 vende në qytetin e Khersonit të cilat përdoreshin për tortura.

Në lidhje me lëshimet që vendi i tij është i gatshëm të bëjë për t’i dhënë fund luftës, Shkurov tha se Kievi nuk ka ndërmend të lëshojë asnjë pjesë të territorit.

Për propozimin e Kinës në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje mes dy shteteve dhe dhënien fund të luftës, ambasadori tha se ai propozim mbështet politikat ruse, dhe se një bazë për negociatat mund të ishte propozimi i bërë më parë nga presidenti Volodymir Zelensky.

Ambasadori Shkurov vlerësoi gjithashtu mbështetjen që vendi ynë i ka dhënë Ukrainës, madje shtoi se vendi ynë është suporti më i fortë i Ukrainës në kryeqytete të fuqishme, si New Yorku, Gjeneva.

Pjesë nga biseda:

NISIDA TUFA: Zoti Ambasador, Kina ka propozuar një plan prej 12 pikash për t’i dhënë fund konfliktit. Presidenti Zelensky është shprehur i gatshëm të takohet me presidentin kinez për të diskutuar mbi këtë plan. Kievi si e shikon këtë strategji dhe a gëzon ky plan mbështetjen e Perëndimit?

AMBASADORI: Sigurisht jemi në dijeni të planit të propozuar me 12 pika për t’i dhënë fund konfliktit. Por do të thoshim se ky plan me shumë i mbështet politikën e Rusisë dhe në një formë indirekte Kina po tregon qëndrimin pro rus në këtë mes. Por disa nga këto pika korrespondojnë në fakt me diçka që dikur është propozuar edhe nga Ukraina. Por ndërkohë ne më shumë bazohemi tek formula e paqes që është prezantuar nga presidenti Zelensky me 15 nëntor 2022, një formulë paqeje që përbëhet nga 10 pika. Kjo formulë në fakt bazohet në rezolutën e OKB-së, për të cilën në 23 shkurt votuan 141 vende përfshirë edhe Shqipëria. Ne e dimë për formulën e planit kinez, por ne bazohemi tek formula e paqes e Ukrainës, për të cilën ka folur edhe presidenti Zelensky. Vendet perëndimore dhe Ukraina e kanë parë me dyshim formulën kineze.

NISIDA TUFA: Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia është e hapur për negociata për t’i dhënë fund konfliktit por këmbënguli se Moska nuk do të bëjë kurrë kompromis për atë që ai e përshkroi si “realitete të reja territoriale”. Jeni të gatshëm të hiqni dorë nga Luhansku, Donjetsku, Zaporizhia dhe Khersoni për t’i dhënë fund luftës?

AMBASADORI: Nuk jemi të gatshëm të dorëzojmë pjesë të territorit të Ukrainës. Pozicioni i Ukrainës është shumë i qartë në këtë pjesë, negociatat e paqes përcaktohen nga kërkesat për tërheqjen totale të trupave nga Ukraina në kufijtë e vitit 1991. Unë si diplomat me pikëllim pranoj se sot çështja duhet të vendoset në fushëbetejë dhe jo në tavolinën e negociatave, por është diçka që duhet ta pranojmë.

NISIDA TUFA: Cilat janë kushtet e Ukrainës për t’i dhënë fund luftës?

AMBASADORI: Kushti i parë është largimi i trupave ruse nga Ukraina. Sigurisht kërkesa e dytë është ndalimi i shantazhit bërthamor dhe bombardimi e granatimi i centraleve bërthamore. Rusia të ndalojë së vrari njerëz civilë dhe të shkatërroje infrastrukturën civile. Mos harrojmë qe kemi gjetur provat e torturave, të përdhunimeve, të vrasjeve. Vetëm në qytetin e Khersonit së fundmi u gjetën 20 vende ku torturoheshin njerëzit. Fatkeqësisht lufta po vazhdon me gjithë tmerret e saj, me gjithë vrasjen e civilëve, por shteti, qeveria e Ukrainës është e vendosur të fitojë dhe të bëjë çdo gjë për fitoren e Ukrainës.

NISIDA TUFA: Ukraina ka marrë një mbështetje masive si financiare ashtu edhe ushtarake nga komuniteti ndërkombëtar. A i ka tashmë Ukraina të gjitha mjetet ushtarake për të vazhduar përballjen me ushtrinë ruse edhe për një kohë të gjatë?

AMBASADORI: Në radhë të parë ju falënderoj për mbështetjen tuaj, për suportin. Është e vërtetë që Ukraina ka marrë një mbështetje të fuqishme jo vetëm politike, por ushtarako-teknike e humanitare nga partnerët tanë. Vetëm nga partnerët e NATO-s që nga fillimi i luftës Ukraina ka marrë rreth 150 miliardë euro. Sigurisht nevojat e Ukrainës sot janë të larta, sepse kemi nevojë për predha me rreze të gjatë, për avionë ushtarakë, për sistemin anti-raketor. Disa nga këto mjete tashmë kanë mbërritur në Ukrainë dhe nga ana tjetër personeli ushtarak i Ukrainës po trajnohet me sukses jashtë vendit duke zotuar aftësitë e menaxhimit të llojeve të reja të armëve dhe pajisjeve që po përdoren sot. Ajo që mbetet e rëndësishme është mbërritja në kohë e armatimeve dhe teknikave në Ukrainë.

NISIDA TUFA: Si e keni parë mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën veçanërisht në Këshillin e Sigurimit?

AMBASADORI: Shqipëria ka qenë dhe mbetet një nga partneret e fuqishme të Ukrainës. Shqipëria jo vetëm ka mbështetur rezolutat e ndryshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por ka qenë një bashkësponsore e shumicës së rezolutave ndërkombëtare në mbështetje të Ukrainës. Këtu po flas edhe për të gjitha organizatat ndërkombëtare me ndikim ku merr pjesë edhe Ukraina. Ndjejmë një mbështetje të fuqishme nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut sigurisht. Edhe këtu kam shume kënaqësi të nënvizoj diçka qe ishte përmendur në takimin e fundit të ambasadorëve në Ukrainë në dhjetorin e kaluar dhe është thënë që Shqipëria është suporti më i fortë i Ukrainës në kryeqytete të fuqishme, si New Yorku, Gjeneva. Shqipëria na mbështet dhe jemi shumë mirënjohës për këtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb