Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama lidhur me paralajmërimin që ai bëri, që Shqipëria duke nisur nga viti i ardhshëm do të dërgojë në orbitë dy satelitë, të cilat do të monitorojnë e mbrojnë territorin shqiptar.

Basha tha se kryeministri flet për satelitë, në një kohë që vendi është i kapluar nga varfëria. Ndër të tjera, ai u ndal dhe te çështja e sipërmarrësit italian, Becchetti.

Basha nënvizoi se nëse Bechetti është shpallur në kërkim, të arrestohet, por deri më tani sipas tij dihet se Shqipëria i ka një borxh mbi 120 mln euro biznesmenit.

“Nuk jam në këtë sallë për të qenë dikushi veçse vetja ime dhe të jeni të sigurt që do të jem vetja ime nëse guxoni të vini në foltore dhe të na bëni moral ne, opozitës, të ardhur këtu me zemrat dhe dëshirën e shqiptarëve për ndryshim. Ju përfaqësues të listës më të zezë të kriminelëve më të mëdhenj që ka njohur ky vend. Ne jemi këtu për të kthyer demokracinë dhe legjitimitetin, sepse përndryshe ky është një kotec korrupsioni e nëse do të kishte një fije guxim drejtësia, gjysma prej jush do të ishin prapa hekurave sot. Mëngjes prej meje nuk do të dëgjosh, sepse që ditës time të parë në politike t’i je armik për mua, për atë që përfaqësoj. Nëse nuk do të dëgjosh atë pjesë timen që ti e di shumë mirë dhe qoftë ata që bëjnë si të fortë, qoftë ata që ulin sytë kur ndeshen me ish-ministrin e brendshëm, nëse nuk do të provokosh një reagim të tillë thuaj langonjve tuaj të mbajnë gojën.

Të gjithë mund të jenë prindër më të mirë, veçanërisht ne politikanët. Unë kam borxh të paparë ndaj fëmijëve të mi. Jam i gatshëm të marrë leksione prindërie nga çdo kush në Shqipëri, përvec teje. Të vijmë te halli, halli im janë shqiptarët. Ty kaq ta ka prerë që ditën e parë në politikë, dhe deri në ditën e fundit. Halli yt është se të ka mbaruar vaji i kandilit. Doje të digjje prapë avjin 8-vjeçar, e di që nuk ka më dhjam për të shtrydhur prej shqiptarëve. Sa herë e përmende sot foltoren, 10 herë. Halli im është shqiptarët. Po ty kaq ta ka prerë e kaq do ta presë deri ditën e fundit që do të jesh në politikë. Halli yt është që të ka mbaruar vaji i kandilit e këtë e di mirë. Doje të digjje prapë vajin tetë vjeçar, por ja që nuk e djeg më.

Foltorja nuk është halli im, është halli jot, foltorja është ding-dong u, bëhu gati dhe ti për foltore sepse nuk ka foltore të të shpëtojë ty , nuk ka foltore të të shpëtojë ty. Unë kam guximin që në atë komision të inceneratorëve do të hetohen të gjithë, edhe llumi  dhe të korruptuarit gjatë qeverisjes tonë. Ti që thua moratorium heshtje, që guxon të më përmendësh mua heshtjen, ti more pse nuk i arrestove ata tetë vjet? Pse nuk i çove në prokurori? Pse nuk i dënove? A më fal, sepse e ke ortak , nga Elbasani në Shijak , apo se ta ka qejfi  ti greposh e ti gradosh  për ti hedhur kundër opozitës ? Lojë e vjetër Edi Rama, mund ta luaje katër vitet e para sepse me të vërtetë isha i ri dhe nuk i kisha mësuar truket e tua , por tani ti ka mësuar gjithë bota.

Llumi i tranzicionit është një dhe vetëm një, pavarësisht nëse buron nga një parti apo nga një parti tjetër. Pavarësisht se drekon apo darkon me të njëjtët oligarkë apo aktorë të krimit të organizuar dhe përpiqet të influencojë opinion publik përmes të njëjtave ekrane, ekraneve të kapura. Është i njëjti  llum dhe ka të njëjtat interesa, ju bashkojnë të njëjtat gjera, Status quo-ja. Dhe status quo-ja është kjo që të flisni për satelitë ndërkohë që njerëzit nuk kanë bukë për të ngrënë.

Pse? Sepse ju notoni në luks dhe pushtet. Sepse zotrote ka harxhuar vitin e kaluar më shumë kohë me sheikë dhe darka sheikësh e kriminelësh e  oligarkësh sesa duke takuar njerëzit e thjeshtë të zonës elektorale që përfaqëson. Këto janë interesat tuaja dhe prandaj e keni shkatërruar edhe reformën në drejtësi, keni kapur përbishti drejtuesit e drejtësisë së re, i bëtë rezil ambasadorët e partnerët tanë  strategjikë duke shkuar javë për javë duke  u thënë veproni, veproni, veproni. Sa dalin ata nga dera kërcasin telefonat e 184, të tërmetit, e të tjerëve këtu dhe u thonë mos veproni.”, tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb