Kjo e martë i ka gjetur sërish në protestë banorët e Bërxullës, të cilët kundërshtojnë projektin e rrugës Thumanë-Kashar.

Banorët i kanë bërë thirrje institucioneve të qeverisë që t’u japin përgjigje në lidhje me pronat e tyre, ndërsa kërkojnë verifikim nga ana e Hipotekës së pronave të tyre.

Mes të tjerash protestuesit kanë ironizuar zëvendëskryeminstren Belinda Balluku, e cila nuk ka plotësuar kërkesën e tyre që t’i takojë banorët.

“Projekti është bërë pa marrëveshje, nuk është pyetur askush. Vendimi për shpronësim nuk ka dalë. Akoma nuk del projekti për këto 2.2 km rrugë. Ku janë rrugët dytësore? Ku janë rrugët dytësore? Çfarë duhet të bëjnë banorët e Berxullit. Nuk ka asnjë lloj reagimi, dhe as informacion që të na jepet në rrugë zyrtare apo informale. Kemi bërë një takim para 5 ditësh me kryetarin e Bashkisë dhe me firmën, për negociata. Përgjigja e tyre; nuk kemi akoma të përfunduar projektin për nënkalimin dhe rrugën dytësore. Në Bërxullë nuk ka punime. Do protestojmë para Hipotekës se kemi kaq kohë që kërkojmë që të bëhen certifikimi i pronave. Zonjës Bicit i kërkoj që të ndërhyrje në Hipotekë dhe të verifikojë pronat dhe banesat. Kanë gjetur një gjë që çdo 6 muaj ndërrojnë drejtorët e Hipotekave. Askush nuk ndiqet penalisht, por i kërkojnë llogari popullit.

Të gjitha lejet e ndërtimit të verifikohen. Ku do shkojnë ata që do iu shemben banesat? Ku do akomodohen? Sot është data 28 mars, është dimër, po të kishim dhënë dritën jeshile ne do ishim në qiell të hapur. Nuk vjen Balluku se e ka për turp që të takojë punëtorët dhe fshatarët e varfër. Vetëm unazën mund ta ketë me diamante, me gjona. Ajo nuk vjen, edhe pse i kemi bërë thirrje përditë.”, tha një prej banorëve.

Një tjetër banore foli për mediat, duke thënë se ‘shteti dhe kocesionari janë bërë palë me njëri-tjetrin dhe mbushin xhepat e tyre’.

“Kërkoj marrëveshje sepse më duhet, është diçka që bëhet. Nuk e kuptoj pse nuk reagon shteti! Koncesionari është palë me shtetin. Mbushin xhepat e njëri-tjetrit dhe janë në rregull. Ne jemi banorë të shtetit dhe jo të koncensionarëve. Të drejtën e kërkojmë të shtetit. Ata qëndrojnë në kolltuk për interesat e veta dhe shtypin popullin. Me padrejtësi do ecë shteti? Unë nesër do bëhem me fëmijë. Do e kërkoj të drejtën e pronës sonë deri në fund”, tha një nga banoret në protestë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb