Një ditë pasi Ardian Kallami, 47 vjeç nga fshati Barbullush i Shkodrës u gjet i vetëvarur në banesë pasi ishte shoqëruar nga policia si i dyshuar për një vjedhje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu pezullon nga detyra shefin e komisariatit të Vaut të Dejës dhe dy policët që e morën në pyetje.

Ministria e Brendshme sqaron se për ngjarjen u vu në dijeni ministri i Brendshëm z.Fatmir Xhafaj, i cili ka urdhëruar Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) që në bashkëpunim me Prokurorinë të nisi një proces verifikimi dhe hetimi.

Pas verifikimeve paraprake ndaj punonjësve të Policisë të dyshuar si të implikuar me përgjegjësi, Ministri i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm shqyrtimin e çështjes me prioritet dhe marrjen e masave përkatëse deri në hetimin e plotë të ngjarjes nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z.Ardi Veliu sot ka urdhëruar masën e pezullimit nga detyra, përkatësisht për P.Ç., Shef i Komisariatit të Vaut të Dejës dhe punonjësit Z.D dhe P. Zh., me detyra SPZ (Specialist policor i zonës).

Materialet përkatëse janë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për ndjekje të mëtejshme penale konform ligjit.

Gazetari Senad Nikshiqi raportoi më herët për “BalkanWeb” se 47-vjeçari ka regjistruar vetë me telefon procedurën e marrjes në pyetje nga policia. Videoja që mësohet se zgjat rreth 17 minuta është sekuestruar nga Prokuroria.

Në bisede e sipër viktima i thotë një efektivi: “pse më rrihni se nuk jam unë autori i vjedhjes”. Pas kësaj videoje, familjarët hodhën akuza të rënda mbi policët. Sipas tyre, presionet dhe rrahjet e detyruan të afërmin e tyre të ndërmerte aktin ekstrem. Mësohet se 47-vjeçari kishte humbur gruan 6 muaj më parë për shkak të një sëmundje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: