KOSOVE- Lëvizja Vetëvendosje e cilëson vendimin e Gjykatës Themelore të Shkupit kundër “Grupi i Kumanovës” të motivuar politikisht. Në një reagim të saj VV thekson se ky trajtim për ta është bërë në kundërshtim me konventat për të drejtat e njeriut.

Shtatë pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës iu shqiptua dënimi me burg të përjetshëm, ndërsa të tjerëve iu dha një dënim në total me 746 vjet burg. Ndërkohë, vetëm katër prej tyre u liruan nga aktakuza.

REAGIMI
“E kaluara në Maqedoni ka dëshmuar se shumë raste dhe procese gjyqësore kundër shqiptarëve kanë rezultuar si procese të montuara nga autoritetet shtetërore, duke i diskredituar pushtetet e hetuesisë dhe gjyqësisë. Deri më tani, Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë nuk ka marrë përgjegjësitë e saj për të ndërmarrë masa kundër atyre që kanë montuar këto raste. Në vend të kësaj, në territorin nën sovranitetin e qeverisjes së saj, po vazhdojnë të ndodhin raste dhe procese të diskredituara për nga profesionalizmi, pavarësia politike dhe paanshmëria e pushteteve policore dhe gjyqësore. Të panjohurat e ngjarjes së Lagjes së Trimave, trajtimi i të burgosurve, procesi gjyqësor dhe së fundi dënimi i shtatë të akuzuarve me burg të përjetshëm dhe me gjithsej 746 vjet burg, prej të cilëve shumica janë shtetas të Republikës së Kosovës, janë referencat më të mira për ta inicuar urgjentisht fillimin e një hetimi të pavarur ndërkombëtar lidhur me ngjarjen e Lagjes së Trimave në Kumanovë. Vetëm duke e hetuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme tërë ngjarjen do të mund të sillet drejtësia për të gjithë personat e përfshirë, në një mënyrë apo tjetër, në ngjarjen e padrejtë të Lagjes së Trimave në Kumanovë, prapavijat e të cilit proces të montuar i di vetë pushteti dhe sigurimi shtetëror maqedon. VV fton qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë të angazhohen politikisht dhe në rrafshin diplomatik për një gjykim të drejtë dhe për respektim të të drejtave të njeriut për rastin e Lagjes së trimave në Kumanovë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: