Në studion e emisionit “Real Story” në “News 24” është zhvilluar një debat mes analistit  Skënder Minxhozi dhe kandidatëve të Vetëvendosjes në zgjedhjet e 25 prillit, që janë në listën e kandidimit në Tiranë, Gjirokastër dhe në Lezhë.

Minxhozi theksoi se kandidimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri është thyerje e një kodi 30-vjeçar, pasi më herët asnjë parti e Shqipërisë nuk ka garuar në Kosovë dhe nuk ka ndodhur as e anasjellta.

Ndërsa, kandidati i Vetëvendosjes në Tiranë Boiken Abazi, deklaroi se projekti i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri sjell ndryshim dhe klasa politike në Tiranë ka frikë nga diçka e tillë.

Iljaz Shehu, kandidat i VV në Lezhë: Unë jam nga Lezha dhe kandidimi im vjen edhe nga formimi im. Jam shumë pozitiv në raport me Lezhën. Shpresoj që në Lezhë do kemi rezultat shumë të mirë.

Kreshnik Merxhani, kandidat i VV në Gjirokastër: VV ka program kombëtar dhe ndaj duam që të jemi kudo, që të masivizojmë lëvizjen. Shqipëria e vërtetë është tek qarqet tona. Kjo ku është Shqipëria nuk është rruga e drejtë.

Skënder Minxhozi: Me zotërinjtë nuk kam asgjë. Kjo është thyerje e një kodi 30-vjeçar. Kosova mendoj se nuk duhet të influencojnë në Shqipëri. Eksportimi i projekteve politike më duket thyerje e një kodi 30-vjeçar. Mendoj se një parti duhet të marrë frytet aty ku është aktive, në atë shtet ku ka lindur. VV më duket një konjekturë më shumë. Nuk do të doja që të shikoja parti të Kosovës në Shqipëri dhe parti të Shqipërisë në Kosovë.

Boiken Abazi: Shumë politikanë të Shqipërisë kanë mbështetur ata të Kosovës dhe ka ndodhur edhe e anasjellta. Nuk dëgjova shqetësim për Vuçiç e Zaev, që thonë se kë do të votojnë. Albin Kurti është nënshtetas i Shqipërisë. Albin Kurti prezanton program  që sjell ndryshim, që tremb klasën politike të Tiranës. Lëvizja Vetëvendosje ka nisur me 20 vetë në Kosovë dhe ne synojmë ta zgjerojmë lëvizjen. Ne jemi për bashkim, ne jemi një komb. Projekti ynë trondit koordinatat politike me të cilat është operuar në Shqipëri.

Ne e njohim Albin Kurtin, VV nuk mendon për poste e për ofiqe. Ne do bëjmë transformim në Kosovë dhe në Shqipëri. Ne jemi për rritje të bashkëpunimit, për bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Boiken Abazi: Shqipëria vuan nga pabarazia dhe Rama ka qenë për shkëmbim territoresh. Projekti i Ramës ra, Mini Shengeni ra. Po flisni me fjalorin e regjistrit të pushtetit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb