KOSOVË- Lëvizja Vetëvendosje ka realizuar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në të cilin ka improvizuar një autobus ku shihen fotografitë e lidëve të vendit Isa Mustafa, Hashim Thaçi Kadri Veseli si dhe ministrave të tjerë të Qeverisë së Kosovës. Me anë të këtij gjesti, siç shpjegojnë përfaqësuesit e Vetëvendosjes, i kanë dërguar liderët kosovarë drejt kampeve të Hungarisë.

Faton Topalli deputet nga VV me këtë rast theksoi se masë emergjente nuk është policia, nuk është dhuna, nuk është thirrja për të mos u larguar nga vendi, nuk janë borxhet që do ti shlyejë qeveria.

“Për ne masa emergjente janë ato që krijojnë mundësi qytetarit të Kosovës për të mbijetuar. Qytetari nuk mund të pres as një vit e as dy që kjo qeveri ti krijojë kushtet për mbijetesë për ndryshim e situatës. Masë emergjente e cila mund ta ndalojë emigrimin është nëse Qeveria e Kosovës do të kërkojë nga parlamenti që ndajë 30 milion euro për situatën e krijuar në mënyrë që të ketë mundësi që të punësojë mbi 10 mijë qytetarë me një pagë prej 250 euro në muaj”, ka thënë Topalli, raporton Indeksonline.

Ai më pas ka theksuar se nuk ka mundësi të ndalet emigrimi i qytetarëve përderisa qeveria nuk ka ndonjë plan ekonomik për ta ndryshuar këtë gjendje. “Qeveria të vetëm mundësi për ndryshimin e gjendjes e kanë që ti hipin autobusit dhe të largohen e të dalin jashtë shtetit dhe të kërkojnë azil. Këta janë të vetmit qytetarë të Kosovës që i plotësojnë kushtet për azil dhe kur të dalin atje mund të thonë që për 15 vite i kemi bërë keq këtij populli. Shkofshin e mos u kthefshin”, ka thënë Topalli.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: