FIER- Eneo ka shkëmbyer vetëm në harkun e tri ditëve të fundit të jetës së tij mbi 1200 mesazhe me vajzën që donte, shkruan “Panorama”. Sipas rrëfimit të nënës së tij, Aidës, pas vdekjes së të birit, gjëja e parë që bëri ishte kontrolli i telefonit dhe aty ajo është tronditur akoma më shumë kur ka gjetur mesazhet e pafshira të komunikimit të tyre. Nëna e tij tregon se ndërsa djali gëzonte që po lidheshin sërish, së paku duke komunikuar, ajo e fyente dhe trajtonte shumë keq të birin, duke e fyer me fjalor aspak të përshtatshëm.

“Kur kemi hapur mesazhet, jemi tronditur njësoj siç na tronditi vdekja e djalit. Ai ishte bërë urë që ajo të kalonte mbi të vetëm e vetëm që t’i tregonte se sa e donte. I tregonte në çdo kohë që ajo ishte dashuria e tij e parë dhe e fundit, ndërsa, po ashtu, i kërkonte falje pa arsye. Ajo e shante, e fyente rëndë e ky pa arsye i thoshte shumë herë ‘më fal’. E kishte bërë djalin ato tri ditë para se të vdiste me hije”, tregon nëna e Eneo Ferkos. Sipas saj, mesazheve të Eneos vajza Edlira C. u ishte përgjigjur shpeshherë me mesazhe zanore dhe dëgjohej qartë që ajo e trajtonte keq.

Edhe gjyshja e Eneos, e cila qëndronte në shtëpinë e së bijës për të qenë afër saj në këto ditë të vështira për të, ndërsa Aida rrëfente detajet, përsëriste të njëjtat fraza me të. Në shtëpinë e Aidës gjendeshin edhe koleget e saj të punës, të cilat ndër të tjera tregojnë se kjo është një ngjarje e rëndë dhe Aida ka nevojë për mbështetjen e shtetit, sepse po pret drejtësi. “I lexuam edhe ne mesazhet e tyre. Me Eneon ishte sjellë shumë keq. Jemi të shokuara. Një vajzë e vogël, të sillet aq keq. Më e pakta që mund të bënte kur ky i nis videon ishte të alarmohej. Të lajmëronte policinë a nënën e tij.

Të bënte diçka, por qeshte kur ai i kishte nisur videon. S’kemi fjalë”, u shprehën ato, të cilat më parë kanë punuar në të njëjtën fabrikë edhe me Eneon. Ai u nda nga jeta 4 ditë më parë. Ai ishte duke jetuar një ndjenjë pasioni me një vajzë, me të cilën ishin lidhur në janar të këtij viti, ndërsa bashkëjetoi me të tre muaj. Ndarja me të e ka ngarkuar atë psikologjikisht deri në atë shkallë, sa e ka çuar drejt aktit fatal për jetën.

“Ishte ora 13:15, kur djali erdhi në shtëpi. Atë ditë nuk kishte shkuar në punë se më tha ndihej si i lodhur. Unë kur erdha rreth orës 12:30 nga puna, iu luta të shkonte të paguante energjinë elektrike se kishim dy muaj pa paguar dhe s’doja të shtohej kamata. I dhashë 50 mijë lekë (të vjetër) dhe faturat, dhe ai nuk bëri zë, shkoi. Nuk kaloi shumë, pas 40 minutash, djali erdhi. I kishte paguar. Erdhi dhe hyri në dhomë. Meqenëse ishte drekë dhe unë ndihesha e lodhur, i thashë të flinte edhe ai edhe vëllai i tij. Unë me djalin e vogël u shtrimë në kuzhinë. Nuk kaluan as dy minuta dhe Eneo më thirri të vija në dhomën e tij.Unë realisht i thashë ‘po ty s’të vjen turp, mami më e madhe të vijë te ty’, por ai këmbënguli që të shkoja. M’u lut prapë dhe unë u ngrita dhe shkova. Kur shkova, e gjeta gjysmë të zhveshur, kishte hequr bluzën dhe ishte shtrirë përmbys mbi divan. I kërkova t’më tregonte pse më thirri, ai pa e ngritur kokën, më tha “E bëra!”. E bindur që nuk e kisha dëgjuar qartë, e pyeta edhe një herë, por ai u kthye me fytyrën gjysmë nga unë dhe ma konfirmoi prapë që e kishte bërë një gjë. “Piva fostoksinë”, më tha”, rrëfehu nëna.

Aida, nëna e viktimës
Aida, nëna e viktimës

Ajo pohoi mes dhimbjesh se si fillim kishte menduar se djali po bënte shaka, por pasi pa fostoksinën u tmerrua. “Fillimisht i thashë të mos tallej me mamin, por ai më tha t’i fusja dorën në xhepin pas të pantallonave dhe unë me të shpejtë e futa dorën dhe i gjeta një fishek me fostoskinë. U çmenda…E pyeta edhe një herë si e kishte pirë e kur e kishte pirë. Më tha se kishte pirë një kokërr, kur ishte duke u kthyer nga pagesa e energjisë. S’dija se çfarë po bëja. E humba mendjen fare. Nuk u mora me djalin, por po merresha me helmin. I hodha në lavaman dhe doja me çdo kusht t’i shkrija në ujë, por ato nuk shkrinin. I mblodha shpejt me një qese dhe i futa thellë nëpër qese mbeturinash. S’di pse humbja kohë, por më dukej sikur do ta ruaja që të mos pinte të tjera. Nuk mendoja kurrë që gjëma ishte bërë me një kokërr. Nuk e besoja kurrë”, tha për panorama nëna e viktimës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb