Mjekja e QSUT, Entela Kolovani, komentoi për News24 ngjarjen shumë të rëndë të ndodhur te Spitali Covid-2 Shefqet Ndroqi, ku një tjetër pacientë brenda pak javësh i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i katërt.

Mjekja Kolovani theksoi se ka shumë faktorë që çojnë në rëndimin psikologjik të pacientëve, që nga ato që mund të kenë dëgjuar për sëmundjen, vështirësitë që ju shkakton në frymëmarrje, duke bërë që organet, përfshirë edhe trurin, të vuajnë, apo edhe mungesa e familjarëve.

Për këtë të fundit, mjekja deklaroi se pacientët lejohen të mbajnë telefona me vete dhe të bëjnë telefonata apo edhe video-call me familjarët, por kur gjendja e tyre rëndohet, e kanë të pamundur ta përdorin telefonin.

Pjesë nga intervista:
Vetëvrasja e dy pacientëve në spital, si është situata psikologjike e pacientëve brenda spitaleve Covid?
Ka mjaft faktorë që mund të shoqërohen edhe me një ndryshim psikologjik të këtyre pacientëve. Në radhë të parë është vetë sëmundja, që duke u shoqëruar me vlera të ulëta të oksigjenimit në gjak, ky gjak i paoksigjenuar që përhapet në të gjitha organet e trupit bën që këto organe të vuajnë. Të njëjtën gjë bën edhe truri, që nëse nuk oksigjenohet mjaftueshëm, vuan. Në këtë mënyrë, pacienti në momente të caktuara mund të shfaq ndryshime të sjelljes, që lidhet direkt me sëmundjen. Por, edhe mungesa e familjarëve, terapia intensive, ajo që kanë dëgjuar mbi sëmundjen, janë faktorë të tjerë që mund të cojnë në ndryshime psikologjike të pacientëve. I gjithë personeli mjekësor është pranë këtyre pacientëve 24 orë në ditë, kemi edhe psikologë, mjekë reanimatorë e infektologë, një numër të madh infermierësh, që asistojnë pranë të sëmurëve.

A është parë e nevojshme që të kontaktohet me një psikiatër për këta pacientë?
Sigurisht që ju kemi bërë konsulta, kur pacienti parqet problem ekstrem, për t’i bërë një qetësim të lehtë nga ana psikologjike.

Sa duhet lejuar komunikimi i tyre me familjarët dhe sa lejohet brenda pavionit?
Kur pacientët paraqiten për shtrim kanë me vete telefonat e tyre, me të cilët komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me familjarët. Në asnjë moment ne s’i kemi penguar telefonat, por është vetë sëmundja, që ua bën të pamundur komunikimin pacientëve. Gjithsesi ne kemi një numër telefoni të familjarëve për cdo pacient, për të dhënë një informacion të shkurtër lidhur me situatën e tyre.

Lejohen video-telefonatat?
Patjetër, shpesh pacientët bëjnë video-call me familjarët e tyre. Çdo ditë ne komunikojmë duke dhënë informacion për çdo pacient. Nëse kemi ndryshim dhe agravim të situatës, sigurisht që bëhet në çdo moment komunikimi te familjarët. Për pacientët në gjendje stabël, komunikimi është 1 herë në 24 orë.

Mungon uji brenda spitalit?
Jo nuk mungon, ne nuk kemi kërkuar që familjarët të sjellin ujë. Kemi lënë një orar, kur ata mund të sjellin ndërresa. për ujin, ushqimin e pjesën tjetër është i plotësuar nga spitali.

Merret miratimi i familjarëve për të intubuar pacientin?
Kur kemi ngjarje të reja me pacientin sigurisht që bëhet informimi. Ne e informojmë familjarin që kushtet shëndetësore nuk janë mirë dhe ai mund të përfundojë në intubim. Mjeku është vetëm duke vepruar, duke bërë procedurën, që është gjithmonë në favor të të sëmurit.

A ka mungesë personeli dhe sa mjekë e infermierë janë në turn?
Ne kemi një staf shumë të madh infermieror, që i shërben të sëmurëve. Në çdo pavion, minimumi në çdo turn janë 8 infermierë. janë edhe tre mjekë roje e tre mjekë informatorë, si dhe gjatë paradites i gjithë stafi. Është një staf shumë i madh, që punon në ndihmë të këtyre pacientëve. Nuk vuajmë për mungesë personeli, është situata e të sëmurit ndonjëherë që na bën të ndihemi jo mirë, sidomos kur pacientët tanë nuk marrin atë drejtim, me gjithë ndihmën që po ju japim që nga marsi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb