Të ftuar në emisionin në “Shenjestër”, drejtuar nga gazetarja Klodiana Lala, kanë qenë eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço dhe gazetari i kronikës Eni Ferhati.

Ata kanë folur në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot në Komisariatin i Kavajës, ku Ilvi Meta, 31 vjeç, ka humbur jetën duke u vetëvrarë me lidhëset e këpucëve.

Gazetari Ferhati ka sjellë në vëmendje faktin që kjo nuk është hera e parë që ngjarje të tilla ndodhin me persona të cilët janë në kujdesin e policisë në komisariate, duke kujtuar rastin e komisariatit të Kamzës.

“Akti i vetëflijimit me lidhëse këpucës është version i çuditshëm dhe version paraprak.
Shqetësuese është akuza e deputetit të Partisë Demokratike Dashnor Sula se është shprehur që nuk është vetëflijuar por ka humbur jetën nga dhuna barbare. Rast si ky është edhe rasti i Kamzës që është lejuar çakmak nga efektivë të papërgjegjshëm.
Raste të ngjashme ka pasur edhe më parë.

Është e pafalshme që kanë ndodhur këto ngjarje kur pritet të inagurohet për pak ditë blloku i sigurisë në Tiranë, ku të gjithë personat e ndaluar do të mbaheshin në këtë mjedis të ri. Kjo ngjarje e rëndon pozitën e policisë por shpresojmë që akuzat e deputetit Sula të mos jenë të vërteta.

I ndjeri është dërguan menjëherë në spitalin rajonal por ka mbërritur thuajse i vdekur në duart e mjekëve dhe nuk është mundur të bëhet asgjë për ta shpëtuar”, është shprehur ai.

Ndërkohë, eksperti i sigurisë Karamuço, ka sqaruar se është një procedurë standarte që çdo person të kontrollohet dhe të dorëzojë sendet personale, përfshirë edhe lidhëset e këpucëve dhe rripat, apo edhe mjete të tjera që mund të shërbejnë për të lënduar veten apo edhe të të ndihmojnë për t’i bërë keq të tjerëve.

“Kur paraqitesh në dhomat e sigurisë, çdo person kontrollohet dhe dorëzon sendet personale, rripa, lidhëse këpucësh që mund të të rrezikojnë jetën apo edhe të dëmtosh të tjerët. Sjellje të tilla janë neglizhencë dhe nuk dua të nxitoj në konkluzione”, tha ai.

Karamuço ka kritikuar gjithashtu mungesën e komunikimit të organeve të policisë në ngjarje të tilla, çka sipas tij shton edhe mundësinë e krijimit të aludimeve.

“Momenti i parë nuk ka pse aludohet dhe dalin rrethana e futet në mes politika. Duhet të dali drejtori i qarkut Tiranës dhe Shefi i Komisariatit që të japë një informacion qoftë edhe paraprak. Policia është vetë fajtore për situatë e krijuar me aludimet dhe duhet të nisë të komunikojë të dhënat”, ka theksuar ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb