Psikotraumatologia Besarta Taçi komentoi në rubrikën “opinion”, në News24, ngjarjen tragjike të ndodhur mbrëmjen e kaluar në spitalin Covid-2 Shefqet Ndroqi, ku brenda pak javësh i dha fund jetës një tjetër pacient me koronavirus, duke u hedhur nga kati i katërt.

Psikotraumatologia tha se izolimi total brenda mureve të spitaleve është arsyeja kryesore që i çon pacientët drejt akteve ekstreme, pasi sipas saj, ata ndjehen të vetmuar dhe të frikësuar nëse do të mund ta fitojnë betejën me virusin.

Taçi këshilloi që të lejohet video-komunikimi dhe komunikimi me telefon për disa minuta i pacientëve me familjarët, duke i mësuar këta të fundit përpara se si të sillen.

Ndërsa sa i takon asaj që duhet bërë për të parandaluar raste të tjera tragjike, psikotraumatologia theksoi se “Duhet të aktivizohen institucionet dhe të thërrasin specialistët e kujdesit social. Përndryshe rastet e vetëvrasjes edhe mund të shtohen, pasi shërbimi psiko-social është shumë i rëndësishëm”.

Intervista:

Çfarë po ndodh me pacientët me koronavirus?
Psikotraumatologia Besarta Taçi: Ajo që ndodh në momente të tilla vendos personat në një lloj pasigurie totale për jetën. Kur ne diagnostikohemi me virus e gjithë qenia jonë vendoset në rrezikshmëri dhe lufte për jetën. Në momentin që ne izolohemi në godinat e spitalit vendosemi në një situatë totalisht të re, të pakontrolluar. Simptomat e virusit i vendosin njerëzit përballë një situate, ku humbin kontrollin mbi veten.

Si duhet lehtësuar kjo gjendje te pacientët?
Në momentin kur individi ka këtë gjendje dhe nuk e di a do ta fitojë betejën për jetën duhet të ketë afër figura me rëndësi si psikologë, njerëz të afërt, por kjo gjë i është mohuar. Për këtë, individi gjendet totalisht i vetmuar dhe përballet vetëm me vështirësitë e sëmundjes.

Çfarë duhet bërë, kryesisht te personat në gjendje më të stabilizuar? Sa e rëndësishme është një telefonatë?
Pacienti mund të lodhet në momentin e komunikimit, por nuk duhet mohuar ky komunikim, sepse ai ndihet i dobët, i vetmuar. Ne nuk mund të ekspozojmë pacientin përballë lotëve të familjarëve. Por, ne i ofrojmë 10 minuta telefonatë me familjarët, ku i mësojmë këto të fundit si të sillen me pacientin. Infermierët duhet t’i informojnë familjarët për gjendjen e pacientëve. Duhet lejuar një komunikim formal, thjesht sa për t’u informuar. Kur një pacient nuk e ka këtë mundësi, ai bën një dopio sforco për dyshimin e madh se çfarë po ndodh me familjen e tij. Ai ka nevojë për komunikim, jemi në vitin 2020. Pse gjërat duhen bërë kaq të ngurta. Nuk mund të mendojmë që izolimi është e vetmja mundësi shërimi. Komunikimi duhet të jetë pjesë e kurës, duhet të shohim që pacientët kanë nevojë për një video-komunikim, por edhe telefonatë me familjarët, duke i mësuar këta të fundit përpara.

Cilat janë grupmoshat që kanë më tepër nevojë për psikologët?
Nga një anë kemi të rinjtë, pasi pandemia sikur iu cungon rrugën drejt ëndrrave; nga ana tjetër kemi gjithë individët që janë në fazë shumë delikate. Një nga indikatorët që përshpejton sëmundjen është ekonomia. Elementi ekonomik është shumë i rëndësishëm dhe ne në Shqipëri kemi mbi 80 mijë individë që kanë humbur vendet e punës dhe kjo rëndon edhe më tej shëndetin mendor të pacientëve.

Çfarë thonë ata që kanë shpëtuar nga koronavirusi?
Kanë kërkuar ndihmë edhe infermierët që kanë punuar në spitalin e Bergamos. Një element që i ka bërë ato të mos ndjejnë lodhjen ishin pikërisht ato momente kur iu jepnin mundësi pacientëve të komunikonin me familjarët, qoftë dhe në momentet e fundit të jetës. Sepse edhe në Itali në fillim nuk u lejua komunikimi, por në një fazë të dytë pacientët u lejuan të komunikonin.

Sa zgjat rikuperimi?
Janë dy elementë që ndikojnë, njëri është ai kohor, tjetri është se sa të sigurt ndjehen pacientët, në momentet kur gjendja qetësohet. Personat që janë të izoluar mund të ndjehen të sigurt, por mund të ndjehen totalisht të pasigurt për përballjen me sëmundjen. Shëndeti mendor është një e drejtë njerëzore. Ekziston një infermier që ka detyrën të shkojë në çdo dhomë, të afrohet dhe të flasë me pacientët. Pacienti dhe mjeku duhet të jenë bashkëpunues. Aspekti i komunikimit duhet të jetë ndërveprues, sepse ndihmon pacientin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb