Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se gjendja nga koronavirusi është sot më e rëndë nga se ishte në muajin mars.

Lubonja tha se qeveria duket se ka menduar më shumë për ekonominë sesa për shëndetin, duke shtuar se po ashtu është imituar disi edhe Perëndimi.

“Duke e krahasuar me çfarë bëmë në mars, gjendja tani është shumë herë më e rëndë. Ideja është që duhet të kishte masa më të mëdha. Ky kufizim duket sikur nuk ndikon, duke pasur parasysh kontestin shqiptar, pasi përpos të rinjve, të tjerët rrinë në shtëpi. Ata që kanë vendosur fasho orarin, kanë menduar më shumë për ekonominë se për shëndetin.

Është imitim i Perëndimit. Duhet të kemi parasysh se në Itali për shembull rinia është shumë më aktive nga se është tek ne. Në Itali ka më shumë jetë nate, në Milano e qytete të mëdha, ndërsa ne kemi vetëm Bllokun. Njeriu ekonomik që dominon mbi shëndetin, për mua është gabim”, tha Lubonja.

Fatos Lubonja theksoi se vetëvrasjet në spitale janë tragjike, ndërsa shtoi se në lidhje me Covid-19, propaganda e qeverisë ka zëvendësuar realitetin.

“Duhet ta njohësh mirë situatën me çfarë jetojnë njerëzit, me çfarë punësh. Gjërat janë të lidhura në ekonomi. Duhet të kishim një shtet më të fortë social. Papërgjegjshmëria ndaj tjetrit është edhe karakteristikë e këtij populli. Këto karakteristika të popullit e ndërlikojnë situatën.

Për zgjedhje pastaj gjendet dhuna e dhuna sjell probleme e jemi në situatë që do shumë kujdes e mirëkuptim, transparencë dhe për të folur me njerëzit me sinqeritet, gjë që mungon tek ne. Duhen bërë më shumë teste, për të provuar gjurmët. Vetëvrasjet në spitale janë të rënda e tragjike. Më shumë kemi propagandë sesa menaxhim të vërtetë. Propaganda ka zëvendësuar realitetin”, u shpreh Lubonja.

Më tej, Lubonja vlerësoi se Basha premton shumë, por nuk e dimë sa do mbajë këto premtime.

“Besoj se në strategjinë elektorale të Lulzim Bashës është tërheqja afër vetes e të gjithë njerëzve që janë prekur, rrezikohen të preken, janë kompensuar ose jo për paratë dhe t’i tërheqë këta njerëz, me qëllim që nesër kur të vijë në pushtet të bëjë diçka ndryshe. Është fushatë elektorale.

Ndarja është mes keq-menaxhimit dhe mirë-menaxhimit. Këtu tamponi është 100 euro, 120 mijë lekë të vjetra. Kush i paguan këto? Ndërkohë, që në vende të tjera janë falas. Edhe Basha ka bërë premtime shumë, por s’e dimë sesa realizohen këto premtime”, deklaroi Lubonja.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb