TIRANE – Në mbledhjen me dyer të mbyllura të komisionit të reformës në drejtësi, ekspertët e misionit të EURALIUS u bënë të qartë anëtarëve të këtij komisioni parimet që nuk mund të preken në procesin e vetingut. Ekspertët europianë ndanë qëndrim të ndryshëm me përfaqësuesit e opozitës për rolin e misionit ndërkombëtar të monitorimit.

Ndryshe nga idetë e propozuara nga opozita, EURALIUS nënvizoi katër parime thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian duke theksuar:
a) Nuk mund të ekzistojnë afate kohore ose kalendar për çdo çështje individuale;
b) Procesi i rivlerësimit përdorë informacionet, dosje si dhe struktura administrative ekzistuese veçanërisht të ILDKP-së;
c) Roli i misionit ndërkombëtar të monitorimit nuk duhet të reduktohet;
d) Bashkëpunëtorët e drejtësisë konsiderohen si një mjet i rëndësishëm për të hyrë në praktika korruptive për marrjen e provave.

Komenti i ekspertëve të EURALIUS vjen pak ditë pasi demokratët bënë publike komentin e tyre prej 55 faqesh për ligjin e vetingut. Në përfundim të mbledhjes, demokratët dhe socialistët u rezervuan në komente.

Anëtarët e majtë dhe të djathtë të komisionit pritet të mblidhet serish për të reflektuar opinionin e ndërkombëtarëve.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb