TIRANE- Procesi i vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët pritet të nisë zbatimin konkretisht në mes të kësaj jave. Gjykata Kushtetuese e dha vendimin e saj, në favor të ligjit dhe kundër kërkesës së opozitës, por pritet të zbardhet vendimi i saj, në mënyrë që një ditë më pas ligji i miratuar nga Kuvendi që më 30 gusht të bëhet efektiv.

Gjykata Kushtetuese duhet të publikojë deri të martën e 27 dhjetorit vendimin e arsyetuar dhe, sipas ligjit të ri të Kushtetueses, ky është momenti kur vendimmarrja e gjyqtarëve hyn në fuqi. Një ditë më pas, në 28 dhjetor, nis zbatimi i ligjit për rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Fillimisht, rreth 600 gjyqtarë e prokurorë duhet të dorëzojnë deklaratat e pasurisë dhe pastërtisë së figurës, pranë DSIK (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar) dhe ILDKP-së.

Janë 3 formularë që të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët duhet të plotësojnë; një për pasurinë, një për lidhjet me krimin dhe një për aftësitë profesionale. Afati për dorëzimin e formularëve është 30 ditë, gjë që do të shkojë deri në janar, për shkak të festave të fundvitit, kur të gjitha institucionet e kanë pushim. Të gjithë ata që nuk i depozitojnë formularët brenda këtij afati, nuk do t’i nënshtrohen skanimit të vetingut, dhe automatikisht duhet të dorëhiqen nga detyra e tyre.

Vetingu është procesi që do të përcaktojë se kush do të vazhdojë të qëndrojë në sistemin e drejtësisë e kush do të largohet. Ligji sanksionon qartë, se do të shkarkohen nga detyra të gjithë ata magjistratë që; kanë deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme, që rezultojnë se kanë kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, që rezultojnë me mangësi pas vlerësimit të aftësive profesionale. Ligji u krijon mundësi gjyqtarëve dhe prokurorëve të japin dorëheqjen nëse nuk duan t’i nënshtrohen vetingut.

Të 71 nenet e tij përcaktojnë qartë se si do të realizohet procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata do të kontrollohen për pasuritë e tyre, lidhjet e mundshme me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale. Gjithë procesi vendimmarrës në vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të mbikëqyret nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Në muajt e parë të vitit 2017 do të shihet ecuria e zbatimit të ligjit të vetingut. Ndërkohë, procesi i vetingut do të monitorohet gjithë kohën nga ndërkombëtarët.

MONITORIMI

Komisioni Europian është në përmbyllje të procedurave për të zgjedhur përfaqësuesit ndërkombëtarë që do të jenë pjesë e operacionit ndërkombëtar të monitorimit sipas dispozitës në Kushtetutën e Shqipërisë. Në përgjigjen e kthyer për “Ora News”, Komisioni Europian thekson se institucionet e BE-së po punojnë për të përcaktuar hollësitë e operacionit monitorues në të gjithë komponentët, ndërsa bisedimet për përgjegjësitë dhe konfigurimin e tij vazhdojnë ende.

Operacioni ndërkombëtar i monitorimit është i sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë të miratuar më 21 korrik dhe do të jetë pjesë integrale e rivlerësimit të gjithë trupës gjyqësore në vend. Përfaqësuesit ndërkombëtarë do të monitorojnë procesin e rivlerësimit në të gjitha nivelet e tij, duke filluar që nga mbledhja e dokumentacioneve në institucionet ndihmëse si ILDKPI apo SHÇBA, dhe më pas në Komisionin e Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit. Operacioni ndërkombëtar i monitorimit do të jetë përcaktues edhe në përzgjedhjen e institucioneve që do të bëjnë rivlerësimin, Komisionin e pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: