Seancat publike për vetingun në Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës së Shqipërisë pritet të nisin shumë shpejt, pasi 245 dosjet e para janë drejt fundit.

Zv/Ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, tha sot se ky proces është i thelluar dhe ai do të nisë me majën e piramidës të çdo institucioni. Ai shtoi se edhe rekrutët e rinj do jenë pjesë e procesit, ndërsa theksoi se askush nuk përjashtohet automatikisht pa u kryer seanca.

“Në tërësi po punohet me 245 dosjet e para, që është dhe pjesa e kompetencës së komisionit të jashtë të vlerësimit. Kjo është një punë që ecën paralelisht për 245 dosjet, pavarësisht se prioritet kanë 45 dosjet e para, pasi procesi nis nga maja e piramidës së secilës prej organizatave”, tha Hodaj.

“Puna me këto 45 dosjet e para nuk pengon punën për 200 dosjet e tjera. Në dijeninë tonë të Ministrisë pra, informacioni është kërkuar për të 245 dosjet dhe tashmë jemi pranë përfundimit të marrjes së këtyre dosjeve dhe shumë shpejt do nisin seancat”, tha Hodaj.

Ai tha se nuk do ketë përjashtim automatik të punonjësve të policisë, por të gjithë do dalin në seancë të Vettingut. “Për ish bashkëpunëtorët të sigurimit të shtetit është një rrethanë që merret parasysh nga organet e vlerësimit si të gjitha rrethanat e tjera ,pra nuk ka një përjashtim automatik, por është një rrethana që do merret parasysh gjatë seancës publike”.

“Procesi është më i thellë, nga analiza e kryer në fillim, rezultoi se në Policinë e Shtetit vetëm 110 deri në 120 punonjës të policisë kishin deklaruar pasurinë. Kostot janë vetëm vendi ku do zhvillohen seancat dhe pagat e anëtarëve të Komisionit të Jashtëm”, bëri të ditur Hodaj.

Hodaj tha se “Sanksioni për mos përmbushje të kritereve të vlerësimit kalimtar apo të Vettingut është përjashtimi nga Policia e Shtetit apo Garda e Republikës. Sipas ligjit, kush përjashtohet nga Policia e Shtetit nuk kthehet më në trupën e Policisë së Shtetit. Sa i takon punësimit të këtij subjekti të përjashtuar në struktura private të ruajtjes fizike, vlerësimi duhet bërë rast pas rasti. Të gjithë punonjësit që punësohen te këto struktura marrin një vlerësim besueshmëria nga Policia e Shtetit. Prandaj kjo duhet marrë rast pas rasti, për të kuptuar nëse ky punonjës është i besueshëm për të ushtruar këtë detyrë në shoqëritë private të ruajtjes fizike apo jo”, theksoi Hodaj.

Zv/Ministri Hodaj tha se SHÇBA është në një proces ristrukturimi dhe se po miratohet një strukturë e re brenda saj që do merret vetëm me vlerësimin periodik të punonjësve të policisë. “SHCBA është në një proces ristrukturimi dhe po miraton një strukturë të re që do ketë një drejtori apo departament, që do jetë ekskluzivisht i ngarkuar me procesin e Vettingut, pasi të ketë kaluar vetë Vettingun”.

“Ky proces nuk ka afat, që do të thotë se SHÇBA sa i takon për vlerësimin kalimtar do të nisin nga grada më e lartë e pjesës së mesme të Policisë së Shtetit, deri tek i fundit. Në momentin që kryhet i gjithë ky proces do të nis vlerësimi periodik, që është vlerësimi me bazë risku”, theksoi Hodaj.

Për rekrutët e rinj, Hodaj tha se do ndiqet e njëjta procedurë. “Sipas ligjit, edhe këta në momentin që rekrutohen në Policinë e Shtetit dorëzojnë deklaratat përkatëse dhe do vlerësohen në vetting sipas gradës që kanë. Duke qenë se futen me gratë 500 patrullat e përgjithshme me gradën më të lartë, ndërsa ekselentët me gradën nën komisar, i bije që vlerësimi i tyre do të bëhet në fazën e tretë, pasi të mbarojnë dhe gradat e mesme”.

Lidhur me boshllëqet e mundshme që mund të krijohen nga Vetingu, Hodaj garantoj se “akademia e ka të gjithë mundësinë që të mbush çdo lloj boshllëku që mund të krijohet nga procesi i Vetingut. Jo më lart se sot, është dita e fundit e testimeve fizike për 500 rekrutë të rinj për patrullë të përgjithshme. Pra akademia na ka dhënë mundësi që në harkun e 9 muajve të përgatis 500 rekrutë të rinj, pra e ka këtë kapacitet dhe ne nuk mendojmë se largimet do jenë më të mëdha se 500”.

Lidhur me procesin e Vetingut për trupën strukturën policore kundër të fortëve, Hodaj tha se “Procesi edhe për strukturën policore “kundër të Fortëve, do jetë i njëjtë me të gjithë të tjerët. I vetmi rast i veçantë është kur struktura që duhet të operojnë në mënyrë të rezervuar, flasim për agjentët nën mbulim, vetëm në këtë rast ligji ka vlerësuar se procesi i Vettingut, pra seanca duhet bërë jo publike dhe kjo është më se e kuptueshme”, tha Hodaj

Lidhur me problematikat që mund të hasin punonjës e policisë për informalitetit, Hodaj tha se ligji parashiko një lloj valvule për këtë problemë. “Informaliteti apo emigrimi ndër vite ka qenë i pranishëm në shoqërinë tonë. Ligji parashikon që për kriterin e pasurisë asnjë s’do penalizohet nëse ajo që është e deklaruar nuk e kalon 200% të ardhurave të justifikuara. Me këtë lloj mekanizmi plotësohen dhe boshllëqet e mundshme për rastet e informalitetit apo emigracionit. Ndërsa për ata që kanë deficite operacionale do marrin trajnime , pasi nëse kalon atë të kredibilitetit e të pasurisë, mund të trajnoheshe të jesh sërish pjesë e Policisë së Shtetit”, nënvizoi Hodaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb