TIRANE

Ministri Sandër Lleshaj i është përgjigjur sot Presidentit të Republikës Ilir Meta lidhur me ligjin për vettingun në polici, të cilin kreu i shtetit e ktheu për shqyrtim në Kuvend. Duke folur me tone të ashpra ndaj Kreut të Shtetit, Lleshaj tha se argumentat e sjella nga Presidenca janë përtej absurdit dhe paranojake.

“Vetingun në polici i takon ta bëjë SHÇBA. Vetingu nuk është politik. Me gjithë respektin për presidentin dhe institucionin e Presidencës, po paragjykohet një institucion i rëndësishëm në vend siç është Ministria e Brendshme. MB është një institucion me rëndësi në vend, që bën më tepër sesa një proces vetingu.

Standardi nuk është prekur aspak. Vettingu është një proces që nuk mbaron kurrë. Ja e kaluan sot vettingun, por ditën e nesërme ai polic vijon sërish të jetë në punë dhe në monitorim. Por dhe ata që do jenë të rinj në Polici do t’i nënshtrohen Vettingut. Thuhet se janë kundër SHÇBA-s, por kjo është përtej absurdit, megjithë respektin që kam për punonjësit presidencës, pasi kjo është një paragjykim.
Nuk mund të paragjykohet as nga Presidenti dhe as nga askush një strukturë kushtetuese si minsitria e brendshme.

Është e papranueshme, është një paranojë të paragjykosh ministrinë e Brendshme.
Gjithashtu, as pavarësia e vetingut nuk është prekur. Ligji është kalimtar, ndërsa vetingu bëhet në çdo kohë. Kjo sepse edhe një polic që e kalon vetingun, nesër mund të bëhet pjesë e skemave mafioze dhe mund të largohet më tej. Pretendimi se SHÇBA kompromentohet është absurd. Çdo hyrje në polici do i nënshtrohet vetingut”, tha Lleshaj.

Ministri Sandër Lleshaj theksoi se nuk mundet që Presidenti të paragjykojë në këtë proces Ministrinë e Brendshme.

Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj:

Faleminderit znj.Kryetare,

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,

Ligji është i njohur për ju për arsye se ligji ka kaluar në këtë Komision të nderuar dhe ka marrë miratimin e tij, madje më vonë dhe të parlamentit.

Kështu që unë nuk dua të ndalem në përmbajtjen e ligjit, po dua të komentoj shkurtimisht komentet e presidentit lidhur me këtë ligj. Në thelb ashtu siç u përmend dhe nga parafolësi, shqetësimi i Presidentit të Republikës lidhet me pretendimin se ndryshimet e bëra në ligj prekin në thelb substancën e ligjit, dhe prekin standardet mbi të cilat është ndërtuar ligji.

Dua të them shkurtimisht diçka rreth saj. Së pari ligji tashmë i miratuar nga kuvendi në thelb nuk ka cenuar aspak përmbajtjen e ligjit të mëparshëm. Pra përpjekja për të ndryshuar ligjin lidhet vetëm me aspektet teknike, të cilat kanë të bëjnë me dy gjera. E para me afatin e vlefshmërisë së ligjit, për arsye se ligji e mbaron efektshmërinë e tij në mars të vitit të ardhshëm, dhe koha në dispozicion për të bërë vetingun e rreth 14 mijë punonjësve të Policisë është fizikisht e pa mundur. Pra ligji automatikisht del jashtë vlefshmërisë së tij, ndërkohë që deri në marsin e vitit të ardhshëm besoj që askush nuk mund të ketë iluzione që procesi mund të mbyllet.

Sa i përket pretendimit për prekjen e ligjit, në thelb ligji parashikon këtë: kam bërë thjesht një skicë të vogël, por në thelb të ligjit qëndrojnë tre komisione. Është një Komision i Jashtëm, për në fazën e parë është vetëm një Komision i Jashtëm, që përbëhet nga 15 komisionerë ose 15 vlerësues dhe 15 staf sekretarie, i cili qëndron nga fillimi deri në fund të procesit.

Pra në fazën e parë, të dytë dhe të tretë, thelbi i komisionit është që komisioni i jashtëm i vlerësimit, të cilët janë njerëz të jashtëm, të ardhur nga struktura të ndryshme, nga bota akademike ILDPI e të tjera me radhë, të cilët qëndrojnë në të tre fazat; faza e parë, e dytë dhe  e tretë.

Me përfundimin e fazës së parë, gjatë së cilës bëhet vettingu i kreut drejtues të Policisë së Shtetit, çfarë ndodh? Ata persona të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës apo të SHÇBA-së që kalojnë vettingun, një pjesë e tyre shndërrohen në komisionerë në fazën e dytë. Pastaj zhvillohet faza e dytë, e cila zakonisht, kryesisht merret me nivelin e drejtorive dhe të shefave të sektorëve nga drejtoritë e qendrës dhe në bazë.

Në fazën e tretë, këtij komisioni të këtij niveli të dytë i shtohen të tjerë që kanë kaluar vettingun nga Policia, nga Garda dhe nga SHÇBA-ja, dhe formohet kjo struktura e nivelit të tretë, vendore, e cila bën pastaj vettingun e pjesës së mbetur të policisë.

Pra çfarë është thelbi? Se u theksua që është prekur thelbi. Thelbi në fakt është ky komision i jashtëm, kjo pjesa e verdhë që qëndron gjatë gjithë kohës këtu dhe kësaj i shtohen nga anash, kjo pjesa blu që është pjesë e Policisë së Shtetit, e SHÇBA dhe e Gardës, të cilët kanë kaluar vetë vetingun.

Tani me ndryshimin që bëjmë si ngelet skema? Ky është ligji i vjetër, si ngelet ligji i ri? Po ky, ngelet e njëjta gjë. Ngelet po i njëjti komision i jashtëm dhe këtu nga anash shtohen tashmë jo punonjës nga të gjitha strukturat e Ministrisë së Brendshme, por vetëm nga një strukturë që është SHÇBA.

Tani a është prekur thelbi dhe pavarësia e ligjit ose e vettingut nga kjo? Aspak!  Pse? Sepse këta persona  që bashkohen komisionit të jashtëm, janë edhe në ligjin e vjetër edhe në ligjin e ri persona të strukturave të Ministrisë së Brendshme, pra janë të SHÇBA në të dy versionet, të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës në versionin  e parë.

Pra në qoftë se ne pretendojmë që është prekur pavarësia e procesit sepse këta personat e fazës së dytë dhe të tretë janë në varësi të ministrit, atëherë edhe me ligjin e mëparshëm kjo pavarësi është e prekur për arsye se dhe me ligjin e mëparshëm, personat që do të bëjnë këtë proces janë në varësi të Ministrit, sepse ose janë Policia e Shtetit, ose Garda  e Republikës, ose SHÇBA, pra kjo dihet.

Por unë dua ta refuzoj këtë argument edhe për një arsye tjetër, sepse këtu merr ngjyrën e një paragjykimi fakti se paragjykohet ‘përse’ Ministria e Brendshme, si një institucion, i cili do na dëmtoka pavarësinë e një procesi.

Duhet ta kemi parasysh besoj, por vlen për ta përmendur këtu që Ministria e Brendshme është një institucion i rëndësishëm kushtetues i vendit, i cili ka përgjegjësi shumë herë më të mëdha dhe shumë herë më të rëndësishme sesa menaxhimi i një procesi vettingut. Dhe ky është argumenti i parë që do të them. Standardi nuk është prekur në mënyrë kategorike. Aspak. Për arsye se do të jenë po të njëjtat struktura që do të bëjnë procesin.

Po pse e kemi bërë këtë ndryshim atëherë është pyetja? E kemi bërë këtë ndryshim për arsye se ky sistemi i vjetër do na kërkojë që në fazën e tretë.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb