Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, tha se kryeministri Ramush Haradinaj me kërkesën që Serbia ta njohë Kosovën nëse duan që të hiqet taksa, ka shkuar përtej vendimit të përbashkët për vendosjen e taksës.

Ai u shpreh në “Rubikon” të KTV’së se taksa ka arritur qëllimin e vet si vendim politik. “Ka ardhur një moment kur vendimet politike si vendosja e taksës i ka shkundur zyrtarët serb, e kanë parë që ne e kemi shumë seriozisht dhe ndoshta këto kanë qenë sinjale nga Serbia që janë të gatshëm të fillojnë e ta respektojnë këtë shtet”, ka thënë Limaj. “Vendimet politike nuk janë të përjetshme, ka arritur qëllimin e vet. Nëse ke arritur në fazën ku keni dashur të shkoni, atëherë duhet të ulesh e t’i diskutosh”, tha ai.

“Natyrisht, në rrugë e sipër kryeministri ka shkuar një hap më tutje. Ka ecur më tej ndaj qëndrimit të përbashkët. E ka bërë presionin me taksën deri te njohja. Të gjithë do të donim ashtu, por realisht e dimë të gjithë që herët a vonë do duhet të kemi një dialog me Serbinë”. I pyetur se sa kohë ka që nuk janë takuar partnerët e koalicionit Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, Limaj tha se ka tri javë, mirëpo sipas tij, do të kenë takim të përbashkët nesër.

Ai tha se nuk ka njohuri që kryetari i Kuvendit dhe kryeministri nuk flasin me njëri-tjetrin.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb