TIRANE – Analisti Andi Bushati komentoi në rubrikën “Opinion” në “News24” vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të Vettingut. Sipas Bushatit, ky vendim është marrë në presion politik dhe do ta vonojë përkohësisht reformën në drejtësi.

Analisti Bushati e konsideroi vendimin e Kushtetueses edhe si një kundër reagim të gjykatësve ndaj politikës, si për tu thënë se ‘ju nuk jeni më të mirë dhe ne më të këqij’.

Kushtetuesja gjithashtu vendosi t’i drejtohet Komisionit të Venecias, për të marrë një opinion përfundimtar, nëse kjo gjykatë mund ta shqyrtojë këtë ligj duke qenë se gjyqtarët e saj preken nga “vettingu”. Pwr analistin Bushati, delegimi çështjes nga ana e Kushtetueses, wshtw absurde.

“Duket pak absurde që ajo të delegojë diku tjetër, qoftë ky dhe Komisioni i Venecias, vendimin që… ore unë nuk jam e zonja të interpretoj ligjet e këtij vendi dhe të shoh përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën. Pra këtu kemi një pikë absurde”- u shpreh Bushati.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vettingut, a e vonon reformën në drejtësi?
Përkohësisht e vonon pak reformën në drejtësi. Pra i jep akoma më shumë kohë një spiraleje të gjatë që zgjat prej një viti e gjysmë. Por, si duhet gjykuar ky vendim. Për mendimin tim është një vendim i marrë nën presion politik. Çdo të thotë në presion politik. Gjykata Kushtetuese, e cila në fakt është shquar që ka marrë vendime të guximshme edhe kundër qeverive, edhe kur në qeveri ka qenë Sali Berisha dhe kur në qeveri është Edi Rama. Por këtë radhë gjykata u gjend sanduiç, midis presionit të maxhorancës që e donte me çdo kusht ligjin dhe presionit të opozitës që thoshte se ky ligj është antikushtetues, është kapje e Ramës ndaj pushtetit të drejtësisë, etj. Pikërisht sepse presioni qe kaq i madh, në një farë mënyre tentoi ta shtyjë. Të marrë vendim, për mos marrë vendim në fakt. Çfarë problemi ka kjo? Kjo ka problemin e parë sepse Gjykata më e rëndësishme e vendit, gjykata që interpreton ligjin dhe që sheh nëse ato janë konform Kushtetutës, duket pak absurde që ajo të delegojë diku tjetër, qoftë ky dhe Komisioni i Venecias, vendimin që… ore unë nuk jam e zonja të interpretoj ligjet e këtij vendi dhe të shoh përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën. Pra këtu kemi një pikë absurde. Dhe kjo është ana sa mund të flasim ne, juridike e problemit. Por përveç kësaj ka dhe një anë politike apo sociale e problemit. Ajo qëndron në faktin se në një farë mënyre kjo gjykatë, u bë dhe interpretuese e një sensibiliteti që gëlon në mes të gjithë trupës së gjyqtarëve. Pra, që ne po na bëhet një padrejtësi, që ne jemi vënë si delja e zezë, kur shumë kush flet që kemi një Shqipëri të korruptuar, kemi një Shqipëri me politikë të korruptuar, me media të korruptuara dhe duket sikur prozhektorët janë drejtuar vetëm nga gjyqtarët, të cilët në këtë rast ndihen të margjinalizuar dhe ndihen si delja e zezë. Dhe e gjithë kjo ka sjellë dhe këtë kundër reagim të Gjykatës Kushtetuese, që ne nuk do t’i ndjekim hap pas hapi të gjithë axhendën që na imponon politika. Pra nga njëra anë ka qenë një veprim i marrë nën trysni politike dhe paradoksalja është se njëkohësisht me këtë ka qenë dhe një vendim i marrë si një kundër reagim ndaj politikës. Nuk jeni ju më të mirë dhe ne më të këqinj. Në rastin më të mirë jemi të gjithë njësoj.

Ç’ndodh në këtë rast me reformën në drejtësi, a mund të themi se ka rënë, në njëfarë mënyre?
Jo, absolutisht nuk ka rënë. Unë nuk besoj që me gjithë ato faktorë që ka pasur, me këtë maxhorancë që më në fund është bërë bllok për votimin e saj, me komunitetin ndërkombëtar, me presionin e madh të SHBA dhe të Bashkimit Europian kjo do kalojë. Do kalojë, por të paktën nga ana jonë që e shohim si komentatorë apo si gazetarë, kjo tregoi që gjërat nuk janë aq fjollë saç u duk në verën e kaluar, kur pati vetëm duartrokitje dhe votim me 140 vota. Beteja ligjore që u zhvillua në Gjykatën Kushtetuese tregoi dhe një herë në fakt që ka dy palë. Eshtë opozita që e sheh me shumë dyshim dhe është shumë e rezervuar ndaj kësaj reforme dhe PS që i ka hapur në një farë mënyre dyert.

Si pritet të reagojë sipas jush maxhoranca?
Maxhorancës nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të presë. Unë e pashë edhe dje me përfaqësuesin e saj më të lartë, që merret me këtë punë, zotin Fatmir Xhafaj në Top Story. Ai u mundua të hedhë poshtë disa nga argumentet që duan ta shndërrojnë këtë ligj si jokushtetues. Por përveçse retorikës politike, maxhorancës nuk i mbetet gjë tjetër. Aq më tepër, unë besoj se sado të vonohet, Komisioni i Venecias nuk do ja zgjasë Gjykatës Kushtetuese këtë kohë që ka fituar duke i thënë që: Po ju jeni kompetentë dhe ju duhet të merrni një vendimmarrje për këtë ligj.

Pra do t’i mbetet prapë topi Gjykatës Kushtetuese?
Padyshim, nuk mund të jetë gjykata më e lartë e një vendi dhe gjykata që duhet të interpretojë Kushtetutën dhe përputhshmërinë e saj që të heqë duart si nga një patate e nxehtë dhe të thotë që kjo është një çështje që se gjykoj dot unë. Në fund ajo do ta gjykojë gjithmonë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb