Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një prononcim për mediat para Kryesisë së Kuvendit ka mohuar të ashtuquajturin ‘pazar’ për kompromis me opozitën për zgjatjen e mandatit të Vettingut, në këmbim të reformës territoriale.

Balla tha se e konsideron vettingun një çështje tepër teknike tek e cila politika duhet të rrijë larg. Ai theksoi më tej se ka një gatishmëri për të qenë në mënyrë vijuese, të hapur, për të diskutuar pa rezerva çdo lloj çështje që mund të vijë nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas tij, ekspertët e PS-së po punojnë intensivisht dhe me dy institucione ndërkombëtare që kanë këshilluar mbarëvajtjen e reformës në drejtësi, për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut.

“E para dua t’ju sqaroj që ekspertët tanë janë duke punuar intensivisht dhe qoftë zonja Bushka apo kolegë të tjerë edhe me dy institucione ndërkombëtare që kanë këshilluar mbarëvajtjen e reformës në drejtësi për të konkluduar në amendamentin kushtetues për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Përkohshëm të Kualifikimit, në kuptimin që të arrijmë që të kemi brenda një kohe të shkurtër këtë amendament gati dhe pastaj, i cili të jetë gati për të filluar procedura parlamentare.
Një amendament kushtetues kërkon një kohë minimalisht 45 ditë, por mund të shkojë dhe 60 ditë dhe si e tillë kjo do kërkojë shumë punë, por unë e konsideroj një çështje tepër teknike tek e cila politika duhet të rrijë larg, në kuptimin e rëndësisë së procesit të vettingut që ka ecur mirë. Askush prej nesh të mos e politizojë. Ta mbajë si çështje teknike, si nevojë e vijimit të reformës në drejtësi.
Nuk ka asnjë lloj ‘pazari’ sepse kjo është një çështje që unë e konsideroj të një rëndësie të veçantë, ku secili prej ne deputetëve duhet të marrë përgjegjësinë që i takon. Gatishmëri për të qenë në mënyrë vijuese, të hapur, për të diskutuar pa rezerva çdo lloj çështje që mund të vijë nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi Balla.

Po kështu Balla ka deklaruar sërish se maxhoranca do të rrëzojë komisionin për çështjen ‘Becchetti’ dhe do të miratojë dy komisionet e tjera hetimore që ka kërkuar opozita, atë për zgjedhjet e 25 prillit dhe për inceneratorët.

“Diskutuam ngritjen e komisionit për hetimin e zgjedhjet të 25 prillit, ngritja e të cilit do të votohet të enjten. Jemi duke punuar për dakordësimin për projektvendimin për komisionin hetimor për çështjen e trajtimit të mbetejve, ndërkohë që do rrëzohet kom hetimor për çështjen Becchetti”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb