Gjykata e Strasburgut ka dhënë vendimin e parë për Vettingun në Shqipëri duke i dhënë të drejtë procesit. Trupa në Strasburg ka rrëzuar me shumicë votash padinë e ish-gjyqtares të Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj e cila u shkarkua në vitin 2018.

Ajo ngriti padi në Gjykatën e Të Drejtave të Njeriut në Strasburg duke e cilësuar vendimin nga trupa e Vettingut në Shqipëri si të papajtueshëm. Ndërkohë prej vendimit të 2018 ajo është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për 15 vite për shkak të problemeve me pasurinë dhe aftësive profesionale.

Në vendimin e dhënë sot, trupa në Strasburg në shumicë ka votuar se nuk ka patur shkelje për mungesë të pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të vetingut, parregullsi të procedurave, për mosmbajtjen e një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit, për shkelje të parimit të sigurisë juridike, se nuk kishte shkelje të nenit 8.

Nga ana tjetër i jepet të drejtë ndalimit të përhershëm ligjor për të hyrë Xhoxhaj sërish në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve disiplinore, duke e cilësuar vendimin e Vettingut, saktësisht të KPK dhe KPA proporcional dhe të ligjshëm.

VENDIMI NGA GJYKATA E STRASBURGUT

Në vendimin e sotëm të trupës gjyqësore të Dhomës në çështjen Xhoxhaj k. Shqipërisë (çështja nr. 15227/19) Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi: me shumicë votash (6 kundër 1) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 (e drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përsa i përket pretendimit për mungesë të pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të vetingut, me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për parregullsi të procedurave, me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për mosmbajtjen e një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit, me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për shkelje të parimit të sigurisë juridike, dhe me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare).

Çështja shqyrtoi shkarkimin nga detyra të një gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese në vijim të procedurave të filluara ndaj saj, si pjesë e një procesi të jashtëzakonshëm për rivlerësimin e përshtatshmërisë në detyrë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, i njohur ndryshe si procesi i vetingut. Çështja e kërkueses u shqyrtua nga organet e vetingut, dhe Kolegji i Apelimit, pasi e mori çështjen në shqyrtim në dhomë këshillimi, la në fuqi shkarkimin e saj nga detyra.

Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1, pasi organet e vetingut kishin qenë të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur parimi i sigurisë juridike.

Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb