*Berisha: S’ka gjah shtrigash, do thyeni qafën. Rama: Kufirin tek thana!
TIRANE-
U deshën afro dy orë diskutime dhe replika mes palëve për të votuar në Kuvend me 88 vota pro dhe një abstenim, ligjin për kontrollin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, të njohur ndryshe si Vettingu.

Vota e vetme abstenim ishte ajo e kreut të PBDNJ-­së, Vangjel Dule, i cili prej kohësh nuk është në të njëjtën linjë me mazhorancën. Projektligji u miratua pa prezencën e opozitës, me të gjitha votat e maxhorancës, PS-LSI-PDIU. Opozita nuk ishte e pranishme në sallën e Kuvendit gjatë votimit, pasi e cilëson draftin si antikushtetues. Në sallë u vërejt edhe prania e deputetëve Tom Doshi e Armando Prenga, të cilët dhanë votën e tyre pro vettingut.

Seanca nisi punimet në orën 17:30 dhe deputetët e opozitës lanë Kuvendin në 19:16, pas përfundimit të fjalës së deputetit Eduard Halimi. Ishte pikërisht deputeti demokrat që lajmëroi largimin e opozitës nga Parlamenti, duke deklaruar se PD-­ja nuk mund të bëhej pjesë e procesit të kapjes politike të sistemit të drejtësisë.

‘Vettingu’, parashikon të vlerësojë përgatitjen e tyre profesionale, integritetin moral, si dhe të zbulojë shkallën e pavarësisë në punën e tyre, nga ndikimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe pushtetit politik.

Pr/ligji i organizuar në 71 nene dhe i miratuar në një seancë të jashtëzakonshme plenare, parashikon që procesi i rivlerësimit të përfshijë kontrollin tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve në 3 komponentë: pasuritë e gjyqtarëve, të prokurorëve dhe subjekteve të tjera; zbulimin ose identifikimin e lidhjeve të tyre me krimin e organizuar, vlerësimin e punës së kryer, si dhe aftësitë e tyre profesionale.

Seancës së sotme nuk i munguan as replikat mes ish-kryeminsitrit Sali Berisha dhe kryeminsitrit Rama u rikthyen edhe në seancën e jashtëzakonshme për shqyrtimin dhe miratimin e ‘Vettingut’. Ndërsa Berisha e quajti shtatorin, mujin e fundit të Ramës kryeministër nëse vettingu nuk do bëhej nga BKH, Rama i kujtoi atij se ishte pikërisht reforma në drejtësi ajo që i vinte kufirin tek thana politikës së vjetër.

RAMA: KALON LIGJI I PASTRIMIT TE DREJTESISE
Menjëhere pas votimit kryeministrit Rama shkruan në Twitter: “Kalon me mbi 84 vota ligji i pastrimit të sistemit të drejtësisë nga prokurorët e gjykatësit e inkriminuar”..

RAMA: REFORMA NE DREJTESI UA VURI KUFIRIN TEK THANA
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë se reforma në drejtësi dhe të gjitha ndryshimet kushtetuese bëhen për hir të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Ai pohoi se integrimi i Shqipërisë në BE nuk është një menu ku shqiptarët të zgjedhin atë që duan.
“Nuk ka shumë për të rrahur gjoksin se kush e do më shumë drejtësinë dhe Kushtetutën dhe lirinë e demokracinë. Të votojmë këtë ligj dhe i bëmë të gjithë përpjekjet për konsensus. S’mund të ketë një konsensus alla-shqiptare që bie ndesh me konsensusin e ndërkombëtarëve për tu integruar në BE. Integrim në BE nuk është një menu që merr atë që të pëlqen, por merret e gjitha dhe s’mund të marrësh ca të pëlqen dhe lë atë që nuk pëlqen. Ndaj ne nuk jemi sovran për të zgjedhur ca na pëlqen, ndaj duhet ti nënshtrohemi të gjitha rregullave.”, tha Rama.

Kryeminstri Edi Rama replikoi me Berishën ashtu siç ndodh në çdo seancë parlamentare. Ai tha se reforma në drejtësi i vë kufirin tek thana politikës së vjetër. “Politika e vjetër e ka kufirin tek thana, thana që vë kufirin është reforma në drejtësi pjesë thelbësore e saj është ligji i vettingut”.

BERISHA: S’KA GJAH SHTRIGASH, DO THYENI QAFËN. PO VJEN SHTATORI I FUNDIT I RAMËS
Ish-kryeminsitri Sali Berisha deklaroi në foltoren e Kuvendit se po tentohet gjahu i shtrigave edhe me vettingun, por kjo sipas tij, nuk do të jetë e mundur. I drejtuar nga qeveria dhe kryeministri Rama ai u shpreh: Do thyeni qafën! Sipas Berishës vettingu bëhet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, në të kundërt mund të rrëzohet refoma në drejtësi.

“Ai konsensusi është sanksionuar në Kushtetutë por nëse do bëjmë vettingun, duhet t’ju përmbahemi amendamenteve se i bën BKH, ju tani thoni e bëjnë sekratarët organizativë të Edvin Ramës. Të kemi thyer turinjtë sa herë keni dashur, dhe do ti thyejmë, kemi bërë 2 vjet punë e kemi fiksuar që do e bëjë BKH, tani do ta bëni vettingun me sekretarin organizativ të PS. Ju bëheni qesharakë. Kjo as që kalon. Nuk jeni thyer nga ne nga ato qeveri që kreu juaj ju thoshte i kam me vete. Hajde t’i përmbahemi kushtetutës, jo të bëjmë tani si të rrëzojmë reformën. Po bëni gjah shtrigjash me venttinugn, do thyeni qafën. Këtë skeni për ta bërë kurrë…Doni të rrëzoni atë që votuam jeni qesharakë”.

MAJKO: MBAROI KOHA E TË PAPREKSHMËVE
“Mbaroi koha e të paprekshmëve, le të votojmë projektligjin e ri.”. Kështu deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko. Nga salla e Kuvendit ai theksoi se procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve, në tre drejtime.

HALIMI: LIGJI PËR VETTINGUN SE KA KONSENSUSIN E OPOZITËS, ANTIKUSHTETUES
Në seancën e sotme të sesionit të jashtëzakonshëm të legjislaturës së VIII të të Kuvendit të Shqipërisë për Projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” në emër të opozitës foli deputeti i PD-së Eduart Halimi.

Në fjalën e tij, Halimi tha se “Caktimi i një seance të jashtëzakonshme vetëm pesë ditë para të zakonshmes për një debat gati akademik, besoj se është një cinizëm për vetë situatë që është në vend dhe përmasat e krimit, se asgjë të jashtëzakonshme nuk ndodhë për pesë ditë, por Rama e përdori seancën për alibi për të gjetur armiq të reformës në drejtësi”. “Që ka gjyqtarë të korruptuar as nuk vihen në dyshim dhe këto tre vjet janë liruar kriminel dhe sot krimi merr vendime për gjyqtarë dhe prokurorë në bazë të kontratës së qeverisë me krimin. Edhe në të opozitës ndihemi keq, por duhet tu themi shqiptarëve të mos gënjehen nga propaganda e qeverisë”, tha Halimi. Ai theksoi se: “Armiku më i madhe i drejtësisë është kapja e sistemit të drejtësisë, opozita ka dhë kontribut për moskapjen e sistemit të drejtësisë edhe ne kete draft. Dhe nëse nuk do të ishim angazhuar opozita dhe ndërkomtarët, Byroja Kombëtare e Hetimit

VETTINGU, MEDIU: NUK BEHEMI PJESE E KESAJ FARSE
Ora 17:45- Kreu i republikanëve i qendroi linjës opozitare dhe u shpreh kundër miratimit të ligjit të vettingut, pasi sipas tij, nga ky ligj rrjedh një proces i manipulueshëm. Mediu tha se komisioni që do kontrollojë gjyqtarët e prokurorët do kalojë më parë në kontroll qeveritar dhe kjo sipas tij është një situatë absurdi logjik. Kreu i PR-së shtoi se nuk do të bëhet pjesë e kësaj farse.

Projektligji i Vetingut mund të kalojë dhe pa votat e opozitës, pasi ai kalon vetëm me 84 vota, të cilat mazhoranca, PS-LSI-PDIU i ka të sigurta.

Më tej, Mediu tha se Parlamenti nuk është i përgjegjshem ndërsa kërkohet një ligj për interesa politike.“Kërkohet që në përputhje me interesat politike të miratohet një ligj duke shkelur kushtetutën dhe konsensusin. Nuk u dëgjuan ekspertët e opozitës që donin t’i jepnin ligjit frymën kushtetuese”

“Kërkojmë që autoritetet kushtetuese që ngritëm të kenë autoritet vlerësimi vendimmarrje, jo të kontrollohen politikisht. Nuk mund t’i vendosim në varësi të politikës. Nuk duam që politika të kontrollojë gjyqtarët dhe prokurorët”,- shtoi Mediu.

Miratimi i pr/ligjit te vetingut kërkon shumicë të cilësuar votash, 3/5-n e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Rendi i punimeve të seancës së sotme parashikon që fillimisht të shprehet relatori i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi për pr/ligjin në fjalë, ndërsa më pas diskutimet do të vijojnë në emër të grupeve kuvendore.

Paraditen e sotme u mblodh grupi parlamentar i Partisë Demokratike të opozitës, ku u vendos që opozita të jetë e pranishme në séance, por duke mos e votuar pr/ligjin më të rëndësishëm të paketës së reformës në drejtësi. Ky qëndrim i pritshëm i opozitës pason atë të mbajtur prej saj në komisionin e posaçëm, ku PD nuk e votoi draftin, pasi e konsideroi “antikushtetues”. Sipas opozitës, vetingu duhet të jetë një proces ligjor dhe jo politik. Para seance u mblodh dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ku u konfirmua qëndrimi solid i maxhorancës për miratimin e pr/ligjit të vetingut, që kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash.
(ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: