Ish-Presidenti Alfred Mosiu në një interviste për News24 e BalkanWeb, përshëndet  nismën e opozitës për vetting në politikë, por shton se procesi nuk mund te mbyllet pa përfunduar më parë Vettingu në gjyqësor. Moisiu ka komentuar edhe bojkotin e opozitës.

Alfred Moisiu është i pari ndër ish-Presidentët, që reagon për nismën e opozitës që politikanët t’i nënshtrohen Vettingut. Në këndvështrimin e ish-kreut të shtetit politika duhet t’i nënshtrohet vettingut, por procesi nuk duhet të kryhet pa u mbyllur më parë Vettingu në gjyqësor.
“Vettingu në politikë është i domosdoshëm por nuk mund të realizohet pa u mbyllur Vettingu në gjyqësor”, shprehet Moisiu.

Me ritmet që po ecën reforma në drejtësi ish-Presidenti nuk është optimist që ajo do të mbyllet brenda këtij viti. Apeli i Alfred Moisut shkon për komisionerët e Vettingut që sipas tij duhet të jenë të drejtë në vendimet që japin.
Sesioni i ri parlamentar nisi me bojkotin e opozitës por Moisiu nuk e përkrah aksionin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj për të braktisur Kuvendin. Betejat dhe problemet zgjidhen në Parlament  dhe jo jashtë tij këshillon ai.

Ish-presidenti vlerëson se forcat politike duhet të çojnë vendin përpara, ndaj edhe  marrëveshjet mes dy kundërshtarëve politik nuk duhet të mungojnë për të mirën e vendit.

INTERVISTA E PLOTË
Keni një koment për zhvillimet e fundit në politikë?
Kohët e fundit politika ka shumë fenomene dhe shumë ngjarje. Për shembull unë nuk jam dakord me mënyrën se si po trajtohet parlamenti. Kuvendi është bërë modë tani çështja e bojkotimit. Bojkotimi është një masë, një veprim politik por në qoftë se bojkotimi bëhet dora-dorës, javë për javë e muaj për muaj e humbet sensin e reagimit politik. Në kuvend zgjidhen problemet, ndaj quhet Kuvend, kuvendohet. Po nuk u ule të diskutosh me palën tjetër, të ballafaqohesh, jo duke sharë siç ka ndodhur deri tani për fat të keq por duke shkëmbyer mendime, duke sjellë argumente sepse vetëm me argumente mund ta detyrosh tjetrin të bëjë ndryshime, të ndryshojë ligjin apo mendimin.

Sa i përket vettingut në politikë…
Sigurisht vettingu në politikë është i domosdoshëm. Unë këtë mendim e kam thënë prej kohësh por vettingu në politikë nuk mund të bëhet pa mbaruar vettingu në gjyqësor pa mbaruar reforma gjyqësore sepse ata që  do dalin me probleme nga vettingu në politikë kush do t’i gjykojë, kush do t’i hetojë, ku do ankohen. Pra, duhet të pastrojmë gjyqësorin, ta bëjmë gjyqësorin ashtu siç është menduar, sipas reformës pastaj të fillojë vettingun në politikë. Por vettingu në politikë është i domosdoshëm sepse në fund të fundit gjithë këtë situatë negative që kemi pas 27 vjetëve ka një përgjegjësi. Përgjegjësitë i ka klasa politike, jo e gjitha sigurisht por ata që kanë qenë në krye. Ata që kanë qenë në krye kanë abuzuar, kanë menduar më shumë për veten se sa për vendin, më shumë partinë se sa për vendin, më shumë për klanin e vet se sa për vendin. Njeriu zgjidhet, emërohet në një detyrë për t’i shërbyer vendit të tij, popullit të tij dhe jo për të abuzuar.

Në qoftë se njeriu vihet në një detyrë dhe mendon ‘tani erdha këtu, ça të vjedh’, po flasim shqip se më vjen rëndë ta përdorim këtë fjalë, vërtetë më vjen rëndë sepse ështën jë fjalë që nuk i përshtatet një politikani. Një hajdut nuk mund të hyjë në politikë dhe nuk duhet të hyjë në politikë por ka ndodhur për fat të keq tek ne. Pikërisht kjo është rruga që ne duhet të kalojmë. Duhet ta përshpejtojmë reformën në drejtësi se pavarësisht se i kanë votuar të gjithë ndryshimet kushtetuese me 140 vota, diçka e paparë, e pandodhur deri tani por gjatë zhvillimit janë vënë stërkëmbësha dhe ato kanë krijuar një situatë që është vërtetë e rëndë. Është jashtë funksionit Gjykata Kushtetuese. Është e mbingarkuar dhe e papërballueshme situata në Gjykatën e Lartë por po të shikosh pse ka ardhur kjo del pikërisht se nuk janë ndërtuar institucionet që do kompletonin këto gjykata për të zëvendësuar personat që janë quajtur nga reforma të panevojshëm për të vazhduar më tej.

A mendoni që Rama dhe Basha kanë marrëveshje akoma?
Unë nuk dua të hyj sekretecat që zakonisht boton shtypi jonë. Nqs duhet të bëjnë marrëveshje duhet ta bëjnë dhe këtu puna nuk është marrëveshja por forcat politike shqiptare kanë detyrë që ta çojnë këtë vend përpara dhe qerrja do dy buaj nuk ecën me një. Nëse njëri tërheq këtej dhe tjetri andej qerrja nuk ecën, rri në vend. Sigurisht që njeri është kryesori, ai që ka pushtetin e plotë por edhe tjetri duhet të bëjë punën e tij. Nuk duhet të mendohet që pala kundërshtare t’i vërë shkopinj nën rrota. Nëse pala kundërshtare ngrihet çdo ditë kjo është keq , e kjo është keq ti duhet ta argumentosh me fakte e jo me llafe sepse tani ka shumë gjëra që janë ngritur por nuk faktohen. Atëherë duke folur përçart se kështu mund të quhet atëherë humbet vlerat edhe të atyre që qëndrojnë. Nuk është se thjesht humbet vlerat por se nuk arrihet arsyeja e vërtetë dhe çfarë duhet rregulluar.

Një koment për deputetin  e Kurbinit Gjetan Gjetani dhe kryeministrin?
Nuk mund t’i hyj asaj pune. Punë partish janë ato.

Mendoni se mes PD-së dhe LSI-së ka një koalicion të vërtetë?
Ato janë në opozitë, janë dy forca të rëndësishme politike shqiptare. Kanë pjesën tjetër të parlamentit, rreth 40% të forcave dhe është pjesë e konsiderueshme. Pa ata nuk mund të merren vendime të rëndësishme për ndryshime kushtetuese dhe ligje që kërkojnë 2/3 dhe normalisht duhet të kenë një bashkëpunim, në çfarë shkalle arrin e si e mbajnë është punë e tyre.

Ambasadori i Amerikës iku pa e kapur peshkun e madh, a mendoni se do të ketë ndonjë ambasador amerikan që do ta kapë peshkun e madh?
Peshku i madh është në mënyrë figurative, se balenat ne i dimë se kush janë, nuk ka nevojë sepse edhe një fëmijë i vogël i di.  Por problemi qëndron në faktin se kjo punë duhet bërë nga organet dhe për këtë duhet të kalojë reforma në drejtësi.

Një koment për Berishën dhe Metën?
Nuk merrem me vlerësimin e ish-kolegëve të mi dhe atyre që janë mbas meje.  Nuk kam asnjë koment.

Për sa i përket situatës në Kosovë, për çështjen e ndryshimeve të kufijve?
Për sa i përket zhvillimeve të fundit duhet thënë se u pa se gjithçka ishte thjesht një flluskë sapuni edhe pse aty pati një esencë reale. Pasi duhet kuptuar se kjo situatë nuk mund të vazhdojë përjetësisht, që Serbia të mos e njohë Kosovën, që shqiptarët të jenë në luftë morale me serbët. Kjo vërtet është një luftë shekullore, por tani jemi në shekullin e 21 dhe gjërat duhet të ndryshojnë nëse dy palët duan të hyjnë në BE.

Unë gjithmonë përdor një shprehje “miqtë dhe shokët mund t’i zgjedhësh, por fëmijët ti jep Zoti”.

Ne qëlluam në këtë situatë me serbët. Unë nuk mund të futem të caktoj përgjegjësitë që ka Serbia në këtë punë, por neve na takon që këtë problem ta zgjidhim me shumë maturi, pa dëmtuar asnjërën palë. Por kjo gjë do të ndodhtë më mirë nëse shqiptarët dhe serbët do të ulen dhe ta zgjidhin vetë dhe jo me  mbikëqyrjen e të tjerëve. Pasi kur të tjerët ndërhyjnë, përzihen edhe interesa të tjera, në këtë rast interesat e Ballkanit përzihen me interesat e palëve më të mëdha ndërkombëtare. Të prekësh kufijtë është një përgjegjësi e madhe, dhe në konflikte të tilla kemi me Maqedoninë, me Greqinë etj. Madje njësoj si ne ka edhe Bosnja.

Por ama është vënë re se Serbia akoma vazhdon me idenë e një Serbie të madhe. Nëse do shikosh me vëmendje politikanët e Serbisë që tentuan të bëjnë diçka ndryshe, dështuan. Kjo pasi në zonat rurale të vendit akoma njerëzit kanë idenë e një Serbie të madhe.

Që Shqipërisë i janë bërë padrejtësi, kjo tashmë dihet. Gjithçka ka filluar që nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës dhe këto janë pasoja që nuk fshihen kollaj. Kosovën e mbajti një shekull në robëri, por Kosova jo vetëm mbijetoi, por u forcua nga pikëpamja e ndjenjës  patriotike.  Dhe kjo solli  si pasojë luftën.  Çdo vendim i gabuar ndërkombëtar  sjell pasoja të mëvonshme.

Unë e përmenda edhe më parë shprehjen e Edit Durhamit të vitit 1905, edhe kjo vendosje kështu, pa e njohur situatën sjell situata të përgjakura ndër shekuj e vite.

Mendoni që Vettingu gjyqësor në Shqipëri do të mbyllet brenda këtij viti apo do të zgjasë edhe më shumë?
Dëshira është që të mbyllet, por duke gjykuar nga ritmet sesi po ecin, kam frikë se nuk do të mbyllet. Madje jo vetëm kaq por shoh disa vendime që nuk janë shumë bindëse. Nuk mund të pyesësh dikë se pse ka shtëpi, sepse të gjithë kanë shtëpi. Del kollaj ai që ka abuzuar. Nuk do shumë zotësi për tu gjetur, por duhet bërë kujdes. Unë kam për të bërë një thirrje njerëzve që janë zgjedhur në krye të këtyre institucioneve: të kenë kujdes, pasi çdo veprim gjykohet dhe ka pasoja.

Sa i përket rendit të kohëve të fundit, vrasje në Shkodër, Vlorë, Kurbin? Të gjitha vrasje pa autor?
Është e vërtetë që kanë ndodhur vrasje në Kurbin e Shkodër dhe atje ndodhin gjithnjë. Ka një problematikë në ato zona që nuk do doja ta them: ka shumë të ardhur në ato zona, kanë ardhur nga malet në qytet, dhe kanë akoma atë mentalitetin e malësorit dhe do kohë sa të marrë mentalitetin e qytetit. Po këtu në duhet të punojnë shumë të gjithë, jo vetëm politika e shteti por edhe shoqëria, edhe feja. Mua më pëlqeu shumë thirrja e Dom Jakut që bëri disa ditë më parë: Mund  t’ia hedhësh policisë, dhe drejtësisë, por jo Zotit.  Këtë thirrje duhet ta bëjnë të gjithë hoxhallarët, priftërinjtë dhe të gjithë njerëzit që dua të japin një kontribut në shndërrimin e  shoqërisë shqiptare në një shoqëri të shëndetshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb