Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj zhvilloi sot një seancë dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile.

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, Alibeaj tha se zhvillimi i kësaj seance ishte “një teatër hipokrizie nga qeveria pasi verdiktin për Vettingun politik ata e kanë marrë”.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Shoqërisë Civile mos të përdoret nga qeveria për qëllime politike.

“Iniciativa që kemi marrë ne për Vettingun në politikë, është një iniciativë që ka vetëm një lloj zgjidhje të klasës politike, pranohet ose jo, përballet ose hidhet në kosh plehrash. Ajo që ndodhi në seancën e parë ishte qëndrimi i mazhorancës që me gojën e kryeministrit u shpreh publikisht që nuk e pranon Vettingun në politik as në përmbajtje as në frymë.

Por ne kemi thënë që është një teatër që po zhvillon komisioni i ligjeve për t’i hedh hi syve të publikut. Mohimi total i kësaj kërkese ulëritëse emergjente duke na ftuar këtu, është teatër. Ju s’duhet të lejoni veten tuaj të përdoreni për fasadë për qëllime politike. Do ishte shërbimi më i keq që i bëhet publikut.

Nuk jeni thirrur asnjëherë në çështjet më delikate që kjo godinë ka diskutuar, për çështje me interes për ju. Por ju thërrasin sot për një çështje për të cilën e kanë thënë verdiktin, nuk e duan. E sot po bëjnë teatër, gjasme po konsultohen me juve. Por për shkak të prezencës suaj e ndjej detyrim t’ju jap një sqarim për përmbajtjen. Vettingu politik është vetting në sistemin gjyqësor,” tha Alibeaj

Pas debatit me kreun e parlamentit Gramoz Ruci, deputeti Enkelejd Alibeaj ka braktisur mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit.

Pjesë nga debati:  
Alibeaj: Lidhja e fortë e politikës me krimin kjo është fenomenologjia që mbizotëron sot. Bandat kanë ngulur flamurin e zi te vdekjes ku shteti nuk ekziston. Vetëm 12 orët e fundit, këtij vendi i mungojnë 5 qytetarë shqiptare.
Ruci: Avash avash
Alibeaj: Jo të mbaroj unë
Ruci: Këtu mbledhjen e drejtoj unë, veprimi jot po i heq fjalën shoqërisë civile. Do më dëgjosh mua se jam drejtues i mbledhjes. Është mbledhje enkas për të dëgjuar ju. Nëse keni pyetje pasi materiali iu është vënë në dispozicion, sot apo një ditë tjetër. Jemi të interesuar për mendimet dhe gjykimet tuaja.
Alibeaj: Kjo puna e kohës ju vazhdoni. Mos t’ju vijë keq nga e vërteta. Ajo që po them unë sot nuk është retorikë politike. Shoqëria civile pasqyron zërin e pastër të shoqërisë shqiptare. Përse ky fenomen që s’ka ndodhur ndonjëherë në 30 vite të lulëzojë sot. Ne besojmë dhe kemi prova se ndodh për shkak të një motivi të lidhjes së fortë të krimit me politikën, me qeverinë me kryeministrin. Po si shpjegohet që përfaqësues të lartë të kësaj mazhorance, kryetari i Grupit parlamentar të këtyre, Taulant Balla, del në të gjitha episodet kriminale të muajve të fundit?! 4 apo 5! Si shpjegohet që një deputet, kolegu i tyre, Çyrbja, flet pa teklif me bandën e Shullazit? Si shpjegohet që i biri i një deputeti këtu, merr, dhunon, torturon, i mbrojtur nga i ati, një viktimë të pafajshme?! Unë besoj se cdo shqiptar mendon se kjo situatë e do një zgjidhje. Sot nuk ka më sistem politik, sot ka një dikaturë të pastër në mbrojtje të krimit. Ne besojmë se buron nga lidhja e krimit me politikën. Ka pasur edhe më parë fenomen kriminal, po fenomen që në mes të bllokut krimi të nxjerrë armën, këtu ka rënë shteti. Respekt për ata që nuk kanë ardhur se e kanë kuptuar hiprokizinë respekt edhe për ju që ju kanë vënë në një pozitë të vështirë.
Ruci: Të lutem se nuk kam ardhur të dëgjoj ty. Kemi ardhur të marrim mendimin e shoqërisë civile

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb