TIRANE– Analisti dhe publicisti Besnik Mustafaj e cilësoi nismën e PD-së për vettingun në politikë si prirje për spektakël. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Mustafaj tha se dekriminalizimi është i mjaftueshëm për vettingun në politikë. Po ashtu Mustafaj tha opozita duhet të përqendrohet më shumë tek reforma zgjedhore, pasi sipas tij kjo e fundit nuk ka avancuar.

“Vettingu në politikë, prirje për spektakël nga opozita. Dekriminalizimi është i mjaftueshem per vettingun ne politike. Reforma zgjedhore i intereson shumë opozitës. Reforma është e mbajtur nga legjislatura tjetër. Ky është një tregues i mungesës të bashkëpunimit për të ndërtuar sistemin”, tha Mustafaj.

Teksa u ndal tek bashkëpunimi PD-LSI, analisti e cilësoi një koordinim të dobishëm, ndërsa shtoi se e volitshme do të ishte gjetja e kandidatëve të përbashkët për zgjedhjet lokale.

“Unë shoh një farë koordinimi të dobishëm që ka midis PD dhe aleatëve të saj si dhe LSI. Unë jam votues i PD dhe në këtë kuptim shpresoj shumë që opozita të jetë e bashkuar. Do ishte më e mira krijimi i një koalicioni sa më të gjerë me kandidat të përbashkët. Kam parasysh këtu edhe LSI dhe PDIU. Duhet të ishin zgjedhur zonat sipas preferencave për zgjedhjet lokale. Duhet të ishte gati opozita që t’i ndizte motorët. Ajo në teori ka më shumë kohë se maxhoranca”, tha ai, shkruan “BalkanWeb”.

Mustafaj nuk mund të linte pa përmendur edhe një tjetër çështje të aktualitetit, siç është ajo që lidhet me teatrin kombëtar. Sipas tij projektligji për shembjen e teatrit kombëtar është klientelist, pasi i shërben vetëm kompanisë ‘Fusha’.

“Aktorët janë krejtësisht në të drejtën e tyre si njerëzit më të interesuar për teatrin. Problemi që nxirrte në pah është se duke u bërë një ligj vetëm për kompaninë Fusha, del në pah se është një ligj klientelist. Kjo ju jep të drejtë aktorëve, dhe opozitës për të dhënë se çdo zgjidhje për teatrin pranohet për restaurimin e tij dhe jo me rrafshimin. Aspekti i dytë ka të bëjë me një gënjeshtër të ardhur nga qeveria, se ishte marrë miratimi nga BE. Ky është mëkat, dhe shkohet deri në rrëzimin e qeverisë. Ne se kemi këtë moral të lartë në skenën politike, por qeveria ka gënjyer. Qeveria shqiptare është e detyruar që të rihartojë ligjin. Por ky projekt nuk do të prodhojë asgjë tjetër përveç kompanisë Fusha”, pohoi Mustafaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb