TIRANË

Bibë Ndreca, anëtar i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u përball këtë të mërkurë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të Vettingut. Ndreca, njihet si gjykatësi që firmosi urdhër arrestet për grupin Avdylaj dhe autorizoi përgjimin e tyre, ku në rrjetë ra edhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Për shkak të kësaj dosje e njohur si 339 e famshme, ku ndër të tjera ka dyshime edhe për shitblerje të votave, Ndreca u mor në mbrojtje të posacme, por vetëm pak ditë më parë, përpara se ai të dilte në seancë dëgjimore para institucioneve të vettingut, iu hoq mbrojtja, për arsye që mbeten ende të paqarta.

Në seancë rezultoi se Ndreca është hetuar vetëm në kriterin e pasurisë, por jo në atë të figurës morale dhe aftësive profesionale. Që në hyrje të seancës, ai tha se nuk kishte patur kohën e mjaftueshme për të bërë mbrojtjenm, ndërsa përfundimi i hetimit vetëm në një kriter cënonte procesi.

Pasi dëgjoi Ndrecën, KPK vendosi ta shtyjë seancën për të datën 3 mars, kohë që e konsideroi të nevojshme për paraqitjen e mbrojtjes, ndërsa rrëzoi kërkesat e tij për rihapje të hetimit në dy kriteret e tjera. Ndërkohë, po këtë të mërkurë u konfirmua nga KPK në detyrë anëtarja e GJKKKO-së, Irena Gjoka.

Ndërsa me 27 shkurt pritet të shpallet vendimi për gjykatësin e karrierës Asim Vokshi, ndërsa në shkallën e dytë të vettingut do të vendoset për fatin e Besnik Canit, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb