TIRANE– Avokati i Popullit i ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve të listës B që nuk kanë përmbushur kriteret për pozicionet e anëtarëve dhe institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pjesë e reformës në drejtësi, të plotësojnë dokumentacionin brenda datës 25 mars 2017.

Avokati i Popullit, në zbatim të pikave 1 dhe 2 të Vendimit nr.18/2017 të Kuvendit të Shqipërisë, “ Për kthimin e dosjeve të kandidatëve që kanë shprehur interesin për të kandiduar për institucionet e Rivlerësimit tek Avokati i Popullit për riplotësim të dokumentacionit”, të nenit 71 të Kodit të Procedurave Administrative, si dhe neneve 6 dhe 7 të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” shpall thirrjen për kandidatët që nuk kanë përmbushur kriteret formale, të paraqesin plotësimin e dokumentacionit të kërkuar ligjor për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Të gjithë kandidatët aplikante për institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nuk kanë përmbushur kriteret formale për shkak të mungesës së dokumentacionit përkatës, ftohen të plotësojnë këtë dokumentacion brenda një afati 7 ditor, duke filluar nga data 20.03.2017 deri në datë 27.03.2017, sipas njoftimit përkatës publik të institucionit të Avokatit të Popullit.

Kandidatët aplikantë duhet të dorëzojnë dokumentacionin plotësues në një prej formave si më poshtë:

1- Paraqitjes së kandidatëve pranë institucionit të Avokatit të Popullit në adresën: Bulevardi “Zhan D’Ark”, nr. 2, Tiranë zyra e protokollit, brenda datës 27.03.2017 ora: 08:30-20:30.

2- Plotësimin e dokumentacionit dërguar me postë zyrtare në adresën: Bul. “Zhan D’Ark”, nr. 2, Tiranë. Aplikimi në rrugë postare duhet të kryhet brenda afateve ligjore të aplikimit dhe duhet të vërtetohet me fletë-mandatin e lëshuar nga institucioni përkatës postar brenda datës 27.03.2017.

3- Plotësim dokumentacioni përmes postës elektronike në adresën: [email protected] brenda datës 27.03.2017 ora 23:59.

Në zbatim të legjislacionit për të drejtën e informimit, emrat e kandidatëve aplikues, që kanë shprehur interesin për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë dhe që nuk kanë përmbushur kriteret formale për shkak të mungesës së dokumentacionit do të bëhen publike në faqen zyrtare të institucionit të Avokatit të Popullit www.avokatipopullit.gov.al.

Gjithashtu, çdo kandidat do të njoftohet individualisht në rrugë elektronike si dhe në numrin e telefonit mbi mungesat përkatëse të konstatuara në fazën e parë të aplikimit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb