Një sferë e madhe metalike që ka dalë në një breg në Japoni ka hutuar vendasit dhe ka shkaktuar një stuhi spekulimesh.

Autoritetet nuk mund të thonë ende se çfarë është, madje as policia apo skuadra e bombave e dërguar për të hetuar.

Por ajo që dihet është se është e zbrazët dhe jo një kërcënim. Shumë dyshojnë se është një lloj voze.

Gjetja në qytetin bregdetar Hamamatsu është quajtur ndryshe “veza e Godzilla”, “bova e ankorimit” dhe “nga hapësira” nga vendasit e magjepsur.

Transmetuesi japonez NHK tregoi pamjet e dy zyrtarëve në plazhin Enshuhama duke parë sferën e ndryshkur, metalike që dukej rreth 1.5 metra e gjerë.

Ajo ishte gjetur nga një vendas i cili lajmëroi policinë pasi vuri re objektin e pazakontë në breg.

Autoritetet rrethuan zonën dhe kryen ekzaminime me rreze X, të cilat nuk zbuluan shumë më tepër, përveç konfirmimit se objekti ishte i sigurt.

Një vrapues në plazh tha për mediat lokale se ishte i befasuar nga rrëmuja, pasi topi kishte disa kohë aty. “Unë u përpoqa ta shtyja atë, por nuk lëvizte”, citoi NHK vendashin.

Autoritetet lokale kanë thënë se objekti do të hiqet së shpejti.

Ky lloj zbulimi normalisht mund të mos ngjallë dyshime, por vjen mes nervozizmit të përgjithshëm për objekte të paidentifikuara që kur SHBA-ja rrëzoi një balonë të dyshuar spiune kineze në fillim të këtij muaji.

Japonia veçmas i shprehu shqetësim Kinës të mërkurën në lidhje me balonat e dyshuara të vëzhgimit të pikasura mbi qiellin e saj të paktën tre herë që nga viti 2019, një pretendim që e bëri për herë të parë javën e kaluar. Pekini mohon pretendimet për spiunazh.

Ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve u takuan të mërkurën, në dialogun e parë dypalësh të sigurisë në katër vjet. Të dyja palët ranë dakord të punojnë drejt nisjes së një linje telefonike komunikimi këtë pranverë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb