NGA: Erjon Skendaj

Një Tiranë thuajse e zbrazët! Kalimtarë të pakët që ecin në pikun e vapës me nga një shishe ujë në dorë si për të mashtruar vapën plus 40 gradë në diell. Nga larg Sheshi Skënderbej shëmbëllen si pasqyrë nga reflektimi i diellit përvëlues që amplifikohet edhe më shumë nga pllakat e mermerit aq sa të nxeh shputat e këmbëve megjithëse ke veshur këpucë. Shatërvanët kanë humbur si sëpata pa bisht edhe pse ishin konceptuar pikërisht për të freskuar në ditët më të nxehta të vitit si turistët, vizitorët dhe kalimtarët që u bie rruga nga sheshi qendror i shqiptarëve.

Shenja e vetme se në shesh ka patur dikur shatërvanë janë pllakat rrethore të inoksit brenda të cilëve ka disa llamba led qe vite më parë kombinonin bukur me koreografinë e ujit që shpërthente në të çarat mbi mermer, e ku fëmijët arrinin maksimumin e argëtimit duke u lagur. Them dikur se sot jo drite po as një pike uji nuk del nga te çarat.

Aty në mes të sheshit është edhe çadra e vaksinimit masiv që sot e ka pushim pasi nuk ka as popull dhe as vaksinatorë. Në krah të saj ambienti i hapur enkas për “Europianin 2020” që mbushet vetëm kur dielli zhduket në horizont dhe nisin përballjet e nxehta në fushën e blertë.

Ata pak turistë që të zë syri në shesh qëndrojnë shumë pak, se nuk e durojnë dot vapën, maksimumi sa për te bërë ndonjë foto para “Kalit te Skenderbeut” apo xhamisë së vjetër monument kulture që gjithnjë e më shumë po humbet para “madhështisë së gjigantëve prej betoni” që po hedhin shtat thuajse ngjitur me simbolin e Tiranës, Kullen e Sahatit.

Kjo është e shtuna paradite në Sheshin Skënderbej! Shumë pak për të folur dhe akoma më pak për tu argëtuar e relaksuar në këtë zheg të vapës të fund – qershorit me plus 40 gradë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb