Gazetarja dhe aktivistja Yekaterina Maksimova i shmanget metrosë së Moskës edhe pse është ndoshta rruga më efikase për të udhëtuar.

Ajo e bën këtë për shkak se është arrestuar pesë herë gjatë vitit të kaluar, për shkak të kamerave të sigurisë që punojnë me sistemin për njohjen e fytyrës. Ajo tregon se policia i ka thënë se kamerat “reagojnë” ndaj saj – megjithëse shpesh dukej se nuk e kuptonin pse, dhe e linin të lirë pas disa orësh.

“Duket se emri im është në një lloj baze të dhënash”, thotë aktivistja Maksimova, e cila është arrestuar edhe dy herë të tjera më parë: njëherë në vitin 2019 pasi mori pjesë në një demonstratë në Moskë dhe më pas në vitin 2020 për aktivizmin e saj për mbrojtjen e ambientit.

Për shumë rusë si ajo është bërë gjithnjë e më e vështirë t’i shmangen kontrollit të autoriteteve, pasi qeveria ruse monitoron në mënyrë aktive llogaritë e rrjeteve sociale dhe përdor kamera vëzhgimi kundër aktivistëve.

Autoritetet po shfrytëzojnë si mjet kontrolli edhe një platformë në internet, që më parë është lavdëruar nga përdoruesit pasi mundëson përmbushjen me lehtësi të disa detyrimeve burokratike. Autoritetet planifikojnë ta përdorin atë për t’i dërguar thirrjet për mobilizim ushtarak tek njerëzit që u janë shmangur thirrjeve për rekrutim kur autoritetet janë munduar t’ua dorëzojnë ato fizikisht.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se Rusia, nën Presidentin Vladimir Putin, ka shfrytëzuar teknologjinë dixhitale për të gjurmuar, censuruar dhe kontrolluar popullatën, duke ndërtuar atë që disa e quajnë një “gulag kibernetik” – një referencë e errët për kampet e punës që mbanin të burgosur politikë në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Është një situatë e re megjithëse bëhet fjalë për një komb me një histori të gjatë spiunazhi ndaj qytetarëve të tij.

“Kremlini është bërë me të vërtetë përfitues i epokës së dixhitalizimit dhe po përdor të gjitha mundësitë për propagandën shtetërore, për vëzhgimin e njerëzve dhe për zbulimin e identitetit të përdoruesve të internetit”, tha Sarkis Darbinyan, kreu i praktikës ligjore në Roskomsvoboda, një grup rus për lirinë e internetit që Kremlini e konsideron si “agjent të huaj”.

RRITJA E CENSURËS NË INTERNET DHE ÇËSHTJEVE HETIMORE

Indiferenca e Kremlinit për monitorimin dixhital duket se ka ndryshuar pasi protestat masive të viteve 2011-12 u koordinuan në internet, duke i shtyrë autoritetet të forcojnë kontrollimin e internetit.Disa rregullore mundësuan bllokimin e faqeve të internetit; rregullore të tjera urdhëruan kompanitë e telefonisë celulare dhe të internetit që të ruajnë të dhënat e telefonatave dhe mesazheve, për të ndarë informacionin me shërbimet e sigurisë, nëse është e nevojshme. Autoritetet ushtruan presion ndaj kompanive si Google, Apple dhe Facebook për të ruajtur të dhënat e përdoruesve në serverët rusë dhe njoftuan planet për të ndërtuar një “internet sovran” që mund të shkëputet nga pjesa tjetër e botës.

Shumë ekspertë fillimisht i hodhën poshtë këto përpjekje si të kota, dhe disa ende duken të paefektshme. Masat e Rusisë nuk mund të krahasohen me kontrollet e rrepta të internetit të Kinës, por aksioni në internet i Kremlinit është përshpejtuar.

Pasi Rusia nisi sulmin në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, censura në internet dhe ndjekjet penale për postimet dhe komentet në rrjetet sociale u rritën aq shumë sa thyen të gjitha rekordet ekzistuese.

Sipas “Net Freedoms”, një grup i njohur i të drejtave në internet, më shumë se 610,000 faqe interneti u bllokuan ose u ndaluan nga autoritetet në vitin 2022, numri më i lartë vjetor në 15 vjet. 779 persona u përballën me akuza penale për komente dhe publikime në internet, që gjithashtu arriti një rekord.

Faktori kryesor ishte një ligj, i miratuar një javë pas nisjes së sulmit, që penalizon deklarimet kundër luftës, tha kreu i “Net Freedoms”, Damir Gainutdinov. Ai e bën të jashtëligjshëm “përhapjen e informacionit të rremë” ose “diskreditimin” e ushtrisë.

Organizata “Human Rights Watch” citoi një ligj tjetër të vitit 2022 që u lejon autoriteteve “të mbyllin, pa vendim gjyqësor, organet mediatike dhe të bllokojnë përmbajtjen në internet për shpërndarjen e ‘informacionit të rremë’ në lidhje me sjelljen e Forcave të Armatosura Ruse ose organeve të tjera shtetërore jashtë vendit ose për shpërndarjen e thirrjeve për sanksione ndaj Rusisë”.

PËRDORUESIT E RRJETEVE SOCIALE ‘NUK DUHET TË NDIHEN TË SIGURT’

Ligjet më të ashpra kundër ekstremizmit të miratuara më 2014 kishin në objektiv përdoruesit e rrjeteve sociale dhe publikimet në internet, duke çuar në qindra raste penale për publikime, pëlqime dhe shpërndarje. Shumica e përdoruesve të përfshirë ishin të platformës së njohur të rrjetit social rus ‘VKontakte’, për të cilin thuhet se bashkëpunon me autoritetet.

Ndërsa masat u zgjeruan, autoritetet synuan gjithashtu rrjetet e tjera sociale “Facebook”, “Twitter”, “Instagram” dhe “Telegram”. Rreth një javë pas nisjes së sulmit në Ukrainë, “Facebook”, “Instagram” dhe “Twitter” u bllokuan në Rusi, dhe përdoruesit e platformave u ndoqën penalisht.

Marina Novikova, 65 vjeçare, u dënua gjatë këtij muaji në qytetin siberian Seversk për “përhapje të informacionit të rremë” për ushtrinë pas publikimeve në Telegram kundër luftës, duke e gjobitur atë me mbi 12,400 dollarë. Një gjykatë në Moskë javën e kaluar dënoi aktivistin e opozitës Mikhail Kriger me shtatë vjet burg për komentet në “Facebook” në të cilat ai shprehte dëshirën “për të varur” udhëheqësin rus, Putin. Blogerja e famshme Nika Belotserkovskaya, e cila jeton në Francë, u dënua me nëntë vjet burg në mungesë për publikimet në “Instagram” në lidhje me luftën, që autoritetet pretenduan se përhapnin lajme të rreme për ushtrinë.

“Përdoruesit e çdo platforme të rrjeteve sociale nuk duhet të ndihen të sigurt”, tha zonja Gainutdinov.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut shqetësohen se censura në internet do të zgjerohet në mënyrë drastike përmes sistemeve të inteligjencës artificiale për të monitoruar rrjetet sociale dhe faqet e internetit për përmbajtje që konsiderohen të paligjshme.

Në shkurt, rregullatori qeveritar i medias “Roskomnadzor” njoftoi vënien në funksionim të “Oculus-it” – një sistem që punon me inteligjencë artificiale, i cili do të kërkojë për përmbajtje të ndaluar me ligj duke shqyrtuar fotografitë dhe videot në internet. Ky program mund të analizojë më shumë se 200,000 imazhe në ditë, krahasuar me rreth 200 në ditë që mund të kontrollohen nga njerëzit. Dy sisteme të tjera të inteligjencës artificiale që ende po projektohen do të kërkojnë për materiale në formë të shkruar që janë të ndaluara me ligj.

Në shkurt, gazeta Vedomosti citoi një zyrtar të Roskomnadzorit që shpreh keqardhjen për “sasinë dhe shpejtësinë e pahasur më parë të përhapjes të informacioneve të rreme” për luftën. Zyrtari, emri i të cilit nuk jepet nga gazeta, bën thirrje që protestat dhe “propaganda LGBT” të bëhet pjesë e përmbajtjes së ndaluar që do të identifikohet nga sistemet e reja.

Aktivistët thonë se është e vështirë të dihet se si po veprojnë sistemet e reja dhe se çfarë efektiviteti kanë. Sarkis Darbinyan, i grupit për lirinë e internetit, i përshkruan si “gjëra të tmerrshme”, që do të sjellin “më shumë çensurë”, ndërkohë që ka një mungesë të plotë transparence se si do të funksionojnë sistemet e reja dhe se si do të administrohen ato.

Autoritetet do të punojnë gjithashtu edhe për një sistem programesh të automatizuara (bots), të cilat do të mbledhin informacion nga faqet e mediave sociale, aplikacionet e mesazheve dhe komunitetet e tjera në internet, thotë grupi i hakerëve aktivistë bjellorusë Cyberpartisans, të cilët morën disa dokumenta nga një entitet në varësi të Roskomnadzorit.

Koordinatorja e tyre Yuliana Shametavets i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se programet e automatizuara pritet të infiltrojnë grupet e mediave sociale në gjuhën ruse për qëllime mbikëqyrjeje dhe propagande.

“Është e zakonshme të qeshet me rusët, të thuhet se kanë armë të vjetëruara dhe se nuk dinë të luftojnë, por Kremlini është shumë efikas në fushatat e dezinformimit dhe ka ekspertë të informatikës të kalibrit të lartë, të cilët nxjerrin produkte jashtëzakonisht të efektshme dhe tepër të rrezikshme”, tha ajo.

Agjencia rregullatore e qeverisë Roskomnadzor nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

SY MBI RRUGË DHE NËN TO

Në periudhën 2017-18, autoritetet në Moskë vendosën kamera në rrugë që përdorin teknologjinë e njohjes automatike të fytyrave.

Gjatë pandemisë COVID-19, autoritetet patën mundësinë të gjurmonin dhe të gjobisnin shkelësit e masave izoluese.

Gazeta Vedomosti raportoi në vitin 2020 se shkollat do të kenë gjithashtu kamera të lidhura me sistemin e identifikimit të fytyrave, të cilit i është vënë nofka “Orwell”, sipas emrit të autorit britanik që shkruajti librin “1984”, ku në epiqendër është personazhi “Vëllai i Madh” (Big Brother) që shikon dhe di gjithçka që ndodh.
Kur protestat për burgosjen e udhëheqësit opozitar Alexei Navalny filluan në vitin 2021, sistemi u përdor për të gjetur dhe për të arrestuar personat që morën pjesë në demonstrata, në disa raste edhe disa javë më vonë. Pasi Presidenti Putin shpalli vitin e kaluar mobilizimin e pjesshëm për Ukrainën, duket se ky sistem i ndihmoi zytarët për kapjen e personave që donin t’i shmangeshin mobilizimit.

Një person që u ndalua në trenin brenda qytetit të Moskës për shkak se nuk zbatoi urdhrin e thirrjes në shërbimin ushtarak, tha se policia e kishte informuar që e kishin gjurmuar nëpërmjet sistemit të njohjes së fytyrës. Bashkëshortja e tij ia dha këtë informacion agjencisë së lajmeve AP me kusht ruajtjen e anonimitetit, për shkak se i frikësohej masave ndëshkimore.

Në vitin 2022, “autoritetet ruse zgjeruan kontrollin e tyre mbi të dhënat biometrike të popullsisë, përfshirë nëpërmjet marrjes së këtyre të dhënave nga bankat, si dhe duke përdorur teknologjinë e identifikimit të fytyrës për të mbikëqyrur dhe për të persekutuar aktivistët”, raportoi këtë vit organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch.

Zonja Maksimova, aktivistja të cilën shpesh e ndalojnë në tren, ngriti një aktpadi për të kundërshtuar këto lloj ndalimesh, por e humbi çështjen. Autoritetet u shprehën se për shkak se ajo është arrestuar më parë, policia ka të drejtën ta ndalojë për “një bisedë këshillimore” – gjatë së cilës oficerët i shpjegojnë shtetases “përgjegjësitë morale dhe ligjore”.

Zonja Maksimova thotë se zyrtarët nuk shpjeguan se përse ajo gjendet në listat e tyre të mbikëqyrjes, dhe e konsiderojnë rastin një sekret shtetëror. Ajo dhe avokati i saj po e apelojnë vendimin gjyqësor.

Janë 250 mijë kamera në Moskë që funksionojnë me këtë program; ato gjenden në hyrjen e godinave, në transportin publik dhe nëpër rrugë, thotë zoti Darbinyan. Sisteme të ngjashme ka edhe në Shën Petersburg dhe qytete të tjera të mëdha, si në Novosibirsk dhe Kazan, thotë ai.

Ai mendon se autoritetet donin të ngrinin “një rrjet kamerash në mbarë vendin. Duket si projekt i vështirë, por ekzistojnë mundësitë dhe fondet për ta realizuar”.

‘MBIKËQYRJE E PLOTË DIXHITALE’

Përpjekjet e Rusisë krahasohen shpesh me ato të Kinës, ku autoritetet përdorin mbikëqyrjen dixhitale në masë. Në qytetet kineze mbizotërojnë miliona kamera që regjistrojnë fytyrat, format e trupit, madje edhe mënyrën se si ecin njerëzit, për t’i identifikuar ata. Individë të caktuar gjurmohen vazhdimisht, si prej kamerave ashtu edhe nëpërmjet celularëve të tyre, postës elektronike dhe llogarive në mediat sociale, me qëllim dekurajimin e të gjitha formave të disidencës.

Edhe Kremlini duket se dëshiron të veprojë po kështu. Në nëntor, Presidenti Putin udhëroi qeverinë të krijojë një regjistër në internet për personat që janë të aftë për shërbim ushtarak, pas përpjekjeve për të mobilizuar 300 mijë meshkuj për të luftuar në Ukrainë, kur u bë e qartë se regjistrat ushtarakë kishin probleme serioze.

Regjistri i ri, për të cilin është premtuar se do të bëhet gati deri në vjeshtë, do të mbledhë të dhëna të shumta, “që nga klinikat shëndetësore, deri tek gjykatat, zyrat e tatimeve dhe komisionet zgjedhore”, tha analistja politike Tatyana Stanovaya në një koment për Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare.

Kjo do t’u mundësojë autoriteteve të nxjerrin në mënyrë elektronike thirrje për shërbim ushtarak nëpërmjet një faqeje në internet të qeverisë që përdoret për aplikimet për dokumenta, si pasaportat apo vërtetimet e pronësisë. Pasi një fletëthirrje shfaqet në internet, personave të thirrur në shërbim ushtarak nuk do t’u lejohet largimi nga Rusia. Do të vendosen kufizime të tjera – si pezullimi i lejes për drejtimin e automjetit, apo ndalimi i blerjes dhe shitjes së pronës – nëse nuk zbatojnë fletëthirrjen brenda 20 ditëve, pavarësisht nëse e kanë parë atë apo jo.

Zonja Stanovaya mendon se këto kufizime do të përhapen në aspekte të tjera të jetës ruse, me qeverinë “që po ndërton një sistem shtetëror të mbikëqyrjes dixhitale, shtrëngimit dhe ndëshkimit”. Një ligj i miratuar në muajin dhjetor urdhëron që kompanitë e taksive t’ja japin të dhënat e tyre agjencisë që pasoi KGB-në sovjetike, duke i mundësuar asaj kështu qasje në bankat e të dhënave të qytetarëve, destinacioneve dhe pagesave.

“Gulagu kibernetik, për të cilin u fol në mënyrë aktive gjatë pandemisë, tashmë po merr formë reale”, shkruajti zonja Stanovaya./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: