Eldorian Hamiti u mundua të menaxhonte mirë derbin, por në disa momente situata i doli nga kontrolli, duke mos mbajtur të njëjtin standard për kartonët e verdhë. Megjithatë, penalltia e dhënë për Tiranën ishte e saktë pas ndërhyrjes së VAR-it.

“Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet për moviolë në derbin e djeshëm.

14′ Zhunior driblon Najdovskin dhe pengohet në afërsi të zonës, por Hamiti nuk e jep faull. Braziliani proteston dhe pamjet filmike i japin të drejtë. Duhet të ishte dhënë goditje dënimi për Partizanin.

33′ Musta del huq në zonën e Tiranës, ndërsa Najdovski largon topin. Akordohet faull për bardheblutë nga Hamiti, pa pasur asnjë kontakt mes lojtarëve. E habitshme!

45′ Sembene dhe Najdovski kapen pa top. Fillimisht senegalezi i Partizanit zgjat dorën, ndërsa më pas maqedonasi reagon ashpër, duke e goditur në pjesën e fytyrës. VAR sinjalizon arbitrin Hamiti, por edhe pse ky i fundit qëndron tri minuta për të parë rastin, rinis lojën pa ndëshkuar asnjë nga lojtarët protagonistë me kartonin e kuq. Të dy mund të meritonin të kuqin, ndërsa në këtë moment, Zhunior proteston dhe e pëson, duke marrë të verdhë.

45+6′ Ardit Toli rrëzohet në hyrje të zonës pas duelit me Belicën, por Hamiti vazhdon lojën. Më pas VAR sinjalizon kryeson dhe ky i fundit, pasi shikon pamjet filmike, akordon penallti. Vendim i drejtë, pasi kontakti ekziston, edhe pse topin nuk e ka prekur asnjë lojtar. Penalltia e goditur nga Limaj mund të ishte përsëritur, pasi portieri Alban Hoxha ka dalë rreth dy metra nga porta.

63′ Sembene i ndërhyn me të dyja këmbët Tolit në fundore. Arbitri Hamiti dhe anësori Çokaj kalojnë rastin. Mbrojtësi i Partizanit duhet të ndëshkohej minimalisht me karton të verdhë.

76′ Bërryl i Gligorovit në duel ajror me Seferin, mungon një karton i verdhë për mbrojtësin e Partizanit. 90+1′ Zhunior ndërhyn rëndë ndaj Hotit në mesfushë, Hamiti i fal kartonin e dytë të verdhë.

90+3′ Toli i bën dy ndërhyrje të njëpasnjëshme Carës, por Hamiti e fal mesfushorin e Tiranës, duke mos i dhënë karton.

90+6′ Najdovski bën një faull taktik ndaj Rrapajt në mesfushë dhe merr të verdhin e dytë, duke dalë automatikisht me të kuq. Vendim i drejtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: