Për Rajmonda Milon jeta e nipit të saj 6 vjeçar me autizëm është përmirësuar ndjeshëm ndërsa familjes i është hequr një barrë e madhe pas ecejakeve të shpeshta në Tiranë e Gjirokastër. I mituri ashtu si 14 fëmijë të tjerë trajtohet me terapi në qendrën komunitare për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara në Bashkinë e Përmetit “Shikojmë goxha përmirësim, sapo shikon qendrën më tërheq nga dora nipi se do të futet brenda, jemi shumë të kënaqur”,-u shpreh gjyshja e të miturit.

Shërbimet me bazë komunitare në 13 bashkitë të vendit janë ngritur në kuadër të programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara me fondet e qeverisë së Zvicrës zbatuar dhe kryesuar nga UNDP Albania. Qendrat multifunksionale në këto bashki u shërbejnë kryesisht komuniteteve në nevojë. Me moton “Askush mos të mbetet pas” po ndihmohen falas në mbarë vendin 300 fëmijë me aftësi të kufizuara.
“ UNDP nuk ka ngritur vetëm qendrat por kemi ndihmuar bashkitë të formësojnë mënyrën sesi japin shërbimet. Nuk kemi vetëm investime në infrastrukturë, por edhe në trajnime për ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve të stafeve që punojnë në këto qendra, është një program që në zemër të vet ka për qëllim për tu ardhur në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuara, dhe komuniteteve vulnerabël në këto bashki të vendit”,- u shpreh Nora Kushti, specialiste komunikimi në UNDP Albania.

Në qendrën multifunksionare marrin terapi rehabilitimi dhe zhvillimi 15 fëmijë. Shërbimet ofrohen nga gjashtë profesionistë. 80% e fëmijëve që aktualisht marrin shërbime të specializuara në qendër nuk kishin marrë kurrë shërbim terapeutik. “Vetëm dy fëmijë kishin marrë trajnim terapeutik në Gjirokastër, por të tjerët nuk kanë takuar kurrë më parë një mjek specialist para se të vinin në qendrën tonë”, -tha Suela Riza, drejtuese e qendrës komunitare Përmet.
Thirrja i bëhet të gjithë të personave me profesion logoped dhe fizioterapist t’i bashkohen ekipit pasi burimet njerëzore mbeten sfidë
“Vështirësia është shumë e madhe për burime njerëzore, pjesa më e madhe e të rinjve nuk kthehen më, ju e dini jemi larg nuk jemi as në Tiranë e as në Durrës, por ja që ndodh të rinjtë profesionistë zgjedhin të largohen nga Shqipëria, ne këtu kemi nevojë për burime njerëzore”, u shhpreh Aulona Meshini, nënkryetare në bashkië Përmet.
Kjo qendër ka edhe klasa për mësim pas shkolle për fëmijet në nevojë, si dhe dy njësi strehimi për familjet në situatë emergjence. Një qendër e ngjashme me të Përmetit ndodhet edhe në bashkinë Dimal. Rreth 55 fëmijë më aftësi të kufizuara trajtohen çdo ditë me përkushtim nga psikologë, logopedistëm fizioterapistë dhe punojës sociale.
Për kryetaren e bashkisë Dimal Juliana Mema qendra ja ka arritur qëllimit.

“Është një pune e realizuar mirë, të gjithë shërbimet këtu ofrohen pa asnjë pagesë…”, u shpreh Juliana Mema, kryetare e Bashkisë Dimal.
Qendra ka hapur dyert edhe për 38 vjeçarin me aftësi ndryshe Ervin Pirro, ëndrra e tij e madhe është të mësoje shkrim e këndim, e më pas të sigurojë një punë në fushën e teknologjisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: