Man.City i mjaftoi një pjesë e parë perfekte për të “çmontuar” Chelsea në “Stamford Bridge”. “Qytetarët” ishin “shpërthyes” duke i dhuruar bluve një leksion të pastër futbolli, një trepikësh i artë që i rikthen në garë për titull. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për ekipin e Pep Guardiola që pavarësisht rasteve me COVID-19 duket se është rikthyer në formën më të mirë. City kaloi shpejt në avantazh me Gundogan që në minutën e 18-të ndërsa tre minuta më pas Foden dyfishoj shifrat. Blutë u hodhën në sulm total për tu rikthyer në lojë por në minutën e 34-të pësuan dhe golin e tretë, një kundërsulm i shpejtë i finalizuar nga De Bruyne. Frenk Lampard u përpoq me disa zëvendësime në pjesën e dytë për të ndryshuar fatin e këtij takimi por goli i nderit erdhi shumë vonë, në minutën e 92-të me Hudson Odoi që sigloi shifrat përfundimtare në 1-3.

Pas kësaj humbje të pësuar, e pesta sezonale, stoli i Frenk Lampard tronditet seriozisht. Ecuria negative në këtë fillim sezoni, vendi i tetë në tabelën e klasifikimit, minus shtatë pikë nga kreu, por me një ndeshje më shumë, ka bërë që në ishull të flasin për shkarkimin e tij. Londinezëve i duhet një kthesë e fortë dhe e shpejtë, në të kundërt, i pari që do të sakrifikohet është Frenk Lampard.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb