36 vite pas ferrit të përjetuar në burgun famëkeq të Qafës së Barit, dy protagonistët e gjallë, Dush Martini dhe Kosta Gjordeni, kanë vendosur të rikthehen sërish në të njëjtin vend, ku vuajtën torturat shtazarake, porse këtë herë për të filluar një grevë urie në shenjë indinjate ndaj qeverisë, që thonë se i ka braktisur në çdo aspekt.

Kosta Gjordeni nuk e ka njërin krah, dhuratë nga regjimi komunist për përfshirjen në revoltën e qafës së barit, që shpërtheu brenda burgut të sigurisë së lartë në maj të vitit 1984.

Për përfshirjen në revoltë, Gjordeni, si dhe shumë të tjerë, nuk kanë përfituar asnjë dëmshpërblim si ish të burgosur politikë, pasi ende dhe sot vijon të mbetet në fuqi akuza e ngritur nga hetuesia e diktaturës që i cilësonte terroristë.

Bashkë me Dush Martinin dhe Kosta Gjordenin, grevën e urisë do ta nisin edhe ish të burgosur të tjerë politikë, që thonë se ndihen të braktisur nga çdo anë e politikës.
Katër ditë më parë ish të burgosurit politikë tentuan të nisnin grevën e urisë para Institutit të Integrimit të Ish të Përndjekurve, por nuk u lejuan nga policia me argumentin se greva e urisë ishte në shkelje të aktit normativ për menaxhimin e pandemisë.

Por, qëndrimi i mbajtur nga policia konsiderohet selektiv nga përfaqësuesi ligjor i grevës që thotë se qeveria dhe policia po vepron me dy standarde, ku nga njëra anë mohon një të drejtë kushtetuese, nga ana tjetër legjitimon çdo ditë protesta dhe takime elektorale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb