Rikthehet sërish vëmendja në uzinën e Çekinit në Gramsh, 4 muaj nga ngjarja që bëri shumë bujë, ku dy rusët Mikhail Zorin e Svetlana Timofoeva dhe ukrainasi Fadir Aplatov, u futën në uzinën e Gramshit dhe u përplasën me dy ushtarë shqiptarë, të cilët përfunduan në spital pasi u sulmuan me spraj.

Në atë kohë autoritetet deklaruan se kjo uzinë ishte jashtë funksionit dhe se aty nuk kishte asnjë material të rëndësishëm dhe të rrezikshëm.

“News24” disponon video ku mbrëmjen e së premtes kamionë transporti të ushtrisë largohen nga rruga e uzinës ushtarake e Gramshit duke ecur në regjim autokolone.

Nga pamjet shihet një veturë e ministrisë së Mbrojtjes, një trajler që mbante një fadromë, dy kamionë ushtrie, një i mbyllur dhe një i hapur, që shoqërohen me dy mjete të blinduara hamer.

Burime për News24 bëjnë me dije se kamionët po transportonin materiale të rëndësishme dhe të rrezikshme. Por, kujtojmë se kur ndodhi ngjarja 4 muaj më parë kur dy rusë dhe një ukrainas tentuan të futeshin në uzinën e Gramshit, kryeministri Rama deklaroi se në këtë uzinë nuk ka asgjë më rëndësi dhe se ishte një karakatinë.

Ndërkohë pamjet që disponojmë ngrenë dyshime se në uzinën e Çekinit ka ende materiale ushtarake të rëndësishme, që madje shoqërohen edhe me blinda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: