“Mafia shqiptare e trafikut të drogës po kthehet si “Cosa Nostra” e viteve ’70 në Itali, nëse nuk ndalet, do të bëhet e gjithëpushtetshme”. Kështu shkruan gjiganti italian “Rai3”, teksa flet për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, por edhe drejt vendeve të Amerikës së Jugut.

Në kronikën e përgatitur nga media italiane, flitet për sasinë e madhe të kokainës, prej 617 kg, që u kap në Brazil, dhe që mbante logon e klubit sportiv të Elbasanit, ku theksohet se mafia shqiptare ka marrëdhënie të drejtpërdrejta me kartelin e trafikut të drogës në Amerikën e Jugut.

Sipas medias italiane, janë shqiptarët ata që kontrollojnë trafikun e drogës dhe drejtojnë laboratorë, duke e krahasuar atë me mafien “Cosa Nostra”.

“Mafia shqiptare ka marrëdhënie të drejtpërdrejta me kartelin e trafikut të drogës në Amerikën e Jugut. Pak më shumë se një muaj më parë, me një kamion u kapën në Brazil 617 kg kokainë të pastër, me logon e klubit të futbollit të Elbasanit, qytet në zemër të Shqipërisë, i konsideruar epiqendër e trafikut të heroinës që vjen nëpërmjet tokës nga Afganistani dhe kokainës që vjen direkt në portet e Durrësit dhe Vlorës.

Është mafia shqiptare që kontrollon trafikun dhe drejton laboratorët e drogës, siç bënte Cosa Nostra në Itali në vitet ’70. Kjo u gjet pikërisht në Elbasan, një laborator ku opiumi afgan transformohej në heroinë”, thuhet në kronikën e përgatitur nga “Rai3”.

Ndërkohë, Prokurori i antimafies, Nicola Gratteri, ngre shqetësimin se nëse nuk e ndalon kush mafien shqiptare në Shqipëri, mafiozët do të bëhen të gjithëpushtetshëm

“Ne i shohim shqiptarët në marrëdhënie me ‘Ndragetën’, në trafikun e kokainës. Nëse nuk e ndalon kush mafien shqiptare në Shqipëri, këta mafiozë do të bëhen të gjithëpushtetshëm”, tha ai.

(d.ç./BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb