Ambasada franceze ka dhënë për Policinë e Shtetit 3 mijë maska që uniformat blu të pajisen për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Oficeri Ndërlidhës i Ambasadës frenceze Thomas Erhardy ka thënë se kjo është vetëm sasia e parë pasi një tjetër po 3 mijë maska pritet t’i jepet sërish Policisë.

Po ashtu ai ka thënë se ambasada franceze është e gatshme nëse Policia dëshiron t’i japë dhe një sasi të tretë.

 

STATUSI NGA POLICIA E SHTETIT

Ambasada franceze dhuron 3000 maska për punonjësit e Policisë

Oficeri Ndërlidhës i Ambasadës franceze Thomas Erhardy i ka dorëzuar maskat në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në prezencën e Drejtorit të Logjistikës Theodhori Gravani.

Z. Erhardy është shprehur: “Jam shumë i kënaqur që kam mundësinë t’ju dhuroj këto 3000 maska mbrojtëse, të cilat janë prodhuar nga Shoqëria MARLOTEX, një shoqëri që është e vendosur në Berat dhe është e specializuar në prodhimin e tekstileve. Dhurimi i këtyre 3000 maskave është dhurimi i parë dhe sigurisht do të ketë edhe 3000 maska të tjera. Nëse ju dëshironi ne sigurisht mund të kërkojmë edhe një sasi tjetër të caktuar, për një dhurim të tretë. Dhurimi i këtyre maskave është një simbolikë nga ana jonë për të falënderuar punën e Policisë shqiptare në këto momente të vështira.”

Drejtori i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse në DPPSH, Theodhori Gravani u shpreh: “Faleminderit shumë Oficerit Ndërlidhës të Ambasadës franceze. Në vijim të bashkëpunimit që kemi me Ambasadën dhe me Oficerin Ndërlidhës të Ambasadës, donacioni në këto momente të vështira, veç simbolikës është edhe shumë i rëndësishëm, pasi forcat policore i kanë të domosdoshme këto maska dhe masat mbrojtëse në terren. Në këtë rast shprehim dhe solidaritetin me popullin francez dhe shpresojmë ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë”.

#tiqendroneshtepi

Durim, bashkë do ia dalim!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb