Forca të policisë kufitare dhe asaj të rendit, ambulanca dhe njerëz të shumtë në bregdetin e Himarës ku u shpëtuan 3 pjesëtarë të një familjeje, ndërsa gruaja nuk gjendet ende.

Këto janë pamjet nga vendi të sigurara për “BalkanWeb” nga gazetari Osman Stafa. Siç shihet moti vijon të jetë i vrenjtur. Ndërkaq policia kufitare vijon kërkimet për gjetjen e gruas që dyshohet të jetë mbytur.

Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë mëngjesin e sotëm se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në Gjipe.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë.

Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit R. R., F. R. dhe A. R., ndërsa shtetasja M. R. nuk është gjetur ende. Vijojnë kërkimet intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare.

Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: