Një video e publikuar disa orë më parë në një portal, ku duket qartë ambulanca e Spitalit Rajonal Berat që hedh një të sëmurë në rrugë dhe largohet me shpejtësi, ka sjellë irritim tek punonjësit e Qendrës “Lira”, ku edhe u la edhe personi.

Gazetarja Eneida Petova raporton për ‘BalkanWeb’ se kanë qenë pikërisht punonjësit e kësaj qendre, ata që kanë denoncuar me video rastin në fjalë dhe menjëherë kanë njoftuar organet kompetente, duke mundësuar edhe marrjen sërish të të sëmurit dhe rikthimin e tij në spital rreth 1 orë pas ngjarjes. Mësohet se ka qenë drejtoresha e qendrës “Lira”, ajo që ka njoftuar prefekten e qarkut Berat, policinë dhe spitalin për këtë rast të paprecedentë. Burime konfidenciale nga Spitali Rajonal Berat, konfirmojnë se rasti në fjalë ishte një 45-vjeçar nga lagjja “Kala” në Berat. Burimet bëjnë me dije se pacienti ishte endacak dhe ndodhej i shtruar prej disa javësh në një repartet e Spitalit Rajonal Berat pasi vuante nga kanceri.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë e kontaktuar nga mediat, drejtoresha e Spitalit, Edlira Shkëmbi, nuk dha asnjë informacion në lidhje me personat që ndodheshin brenda ambulancës shtetërore të spitalit dhe në lidhje me personin që urdhëroi ambulancën të hedh në rrugë pacientin dhe ta mbulojë me batanije. Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat bëjnë me dije se po hetohet në lidhje me ngjarjen e rëndë dhe përgjegjësit e saj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: